Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka hapur rrugë organizimit të peticioneve për largimin e kryetarëve në tri komunat me shumicë serbë në veri të Kosovës, pasi i ka kthyer përgjigje zyrtare kërkesës së tre kryesuesve të kuvendeve komunale për komunat përkatëse, njoftoi të hënën zëdhënësi i komisionit, Valmir Elezi.
Elezi tha se KQZ-ja i ka njoftuar kryesuesit e tri kuvende komunale, tri grupeve nismëtare dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës (MAPL), lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komunave “mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20 për qind”.
“KQZ-ja, përmes këtyre tri përgjigjeve të ndara, ka njoftuar se anëtarët e tri grupeve nismëtare janë votues të komunave përkatëse”, tha Elezi.
Ai tregoi edhe për numrin e përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote në tri komunat Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok, si dhe numrin e saktë të votuesve që përbëjnë 20 për qind të trupit votues në secilën komunë, që është i nevojshëm për shkarkimin e një kryetari komune përmes peticionit.
Elezi tha se nga komuna e komuna e Zveçanit komisioni nuk ka pranuar asnjë kërkesë të ngjashme.
Më 7 dhjetor, katër grupe nismëtare, veç e veç, secili i përbërë nga tre qytetarë, u dorëzuan kryesuesve të kuvendeve komunale të katër komunave në veri kërkesat për inicimin dhe organizimin e peticioneve për largimin e kryetarëve të komunave.
Ky është ndër hapat e parë që parashihet me Udhëzimin Administrativ, të cilin MAPL e nxori në shtator, për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, por u hodh poshtë.
Kryesuesi i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha për Radion Evropa e Lirë më 14 dhjetor se kërkesa e grupeve nismëtare nuk u pranua sepse ato s’e kishin njoftuar fillimisht kryetarin ose Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për formimin e peticionit.
“Ata nuk e kanë bërë këtë dhe nuk dëshirojnë ta bëjnë. Ndërkaq, mua kështu më udhëzon Udhëzimi Administrativ”, tha Uglanin.
Për arsyen e njëjtë, sipas tij, nuk ishin pranuar as kërkesat e nismëtarëve të peticioneve për largimin e kryetarëve në tri komunat e tjera, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ato kërkesa “kanë qenë të njëjta dhe pa ndonjë dallim”, tha Uglanin.
Kryetarët shqiptarë janë vendosur në objektet komunale në veri në fund të majit, hap që ka nxitur protesta të serbëve lokalë.
Ata i kanë fituar zgjedhjet e mbajtura në prill, të cilat janë bojkotuar nga serbët atje./ rel
Top Channel