“Dëgjuam britma dhe përplasje në murin e kabinës së tij”/ Çfarë ndodhi pak para vdekjes së 27-vjeçarit shqiptar në Bibby Stockholm

18/12/2023 13:18

The Telegraph ka zbuluar se Leonard Farruku, 27 vjeç, i cili pagoi 4,000 euro (3,436 paund) për të kaluar Kanalin me një varkë të vogël verën e kaluar, dyshohet se është vetëvrarë në Bibby Stockholm pasi kishte javë që azilkërkuesi shqiptar ankohej për shëndetin e tij mendor.

Një ditë para se të vdiste sipas emigrantëve të tjerë në maune, ishin dëgjuar të bërtitura dhe përplasur në murin e kabinës së tij. Ai ishte gjallë kur azilkërkuesi me të cilin ndante kabinën e tij u ngrit për të shkuar në qendrën e IT në maune. Stafi zbuloi trupin e të riut shqiptar menjëherë më pas, shkruan The Telegraph.

Motra e tij Jola Dushku, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha se ishte e tronditur nga lajmi, të cilin e morën vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar të kontaktuar nga policia që po hetonte vdekjen.

Kjo është vetëvrasja e dytë pasi një 23-vjeçar u përpoq të bënte të njëjtën gjë në një parking hoteli në Essex muajin e kaluar, pasi kishte dëgjuar se do të transferohej në Bibby Stokholm.

Farruku mbërriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël gushtin e kaluar si pjesë e një numri prej më shumë se 12,000 shqiptarësh përgjatë Kanalit, një e katërta e të gjitha kalimeve vitin e kaluar.

I lindur në fshatin Manëz, pranë qytetit të Durrësit, motra e tij tha se ai erdhi në Mbretërinë e Bashkuar në kërkim të punës dhe për të siguruar leje qëndrimi.

“Ai erdhi në MB me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar,” tha e motra.

Ajo tha se ata kishin humbur të dy prindërit e tyre, një humbje që ndryshoi vëllain e saj. “Leonardi u bë një person tjetër kur nëna jonë vdiq. Vdekja e saj e ndryshoi atë”, tha ajo. Ajo tha se ai ishte i vendosur të merrte leje qëndrimi në Angli dhe kështu që donte të përmbushte të gjitha kërkesat e Home Office”.

“Për këtë arsye ai tha: “Po”, kur i thanë se akomodimi i tij i ri do të ishte në Bibby Stockholm, ku ai kaloi edhe ditët e fundit të jetës së tij. Unë do të gjej paqen vetëm kur të gjej të vërtetën e asaj që ndodhi atë natë në Bibby Stokholm,” tha ajo.

Një zëdhënës i Home Office tha se, “Ky ishte një incident tragjik dhe mendimet tona shkojnë për të gjithë të prekurit. Mirëqenia e të gjithë atyre në kujdesin tonë është e një rëndësie të madhe dhe ne e marrim përgjegjësinë tonë për mirëqenien e tyre jashtëzakonisht seriozisht. Kjo tani do të hetohet nga policia dhe mjekësia ligjore. Është e drejtë që të vërtetohen faktet dhe rrethanat që lidhen me këtë vdekje.”

Një letër e nënshkruar nga 65 organizata humanitare, duke përfshirë Refugee Action, Refugee Council dhe Care4Calais, dhe e publikuar nga The Guardian i kërkoi qeverisë të mbyllte Bibby Stockholm-in.

Nënshkruesit e përshkruajnë Bibby Stockholm-in si “të ngushtë, kufizuese dhe të veçuar” dhe shtuan se “nuk ishte vend për të akomoduar njerëzit që kanë ikur nga dhuna, persekutimi dhe tortura”.

Kreu i Bashkisë së Portland, Carralyn Parkes tha se azilkërkuesit i përshkruan kushtet në Bibby Stockholm si “të tmerrshme” me sigurinë e stilit të aeroportit, hapësirën e ngushtë, ushqimin e keq dhe që kishin frikë nga hakmarrja nëse do të flisnin.

“Disa njerëz janë më elastikë se të tjerët, disa njerëz mund t’i përballojnë kushtet, dhe disa njerëz nuk munden. Unë mendoj se ne duhet të heqim dorë nga përdorimi i objekteve si Bibby Stockholm, si një vend për të akomoduar qeniet njerëzore. Është krejtësisht e papërshtatshme, për atë qëllimin”, tha Parkes.

Bibby Stockholm ka kapacitet për të strehuar deri në 500 burra beqarë në rreth 200 dhoma gjumi.

Azilkërkuesit u zhvendosën për herë të parë në bord në gusht, por u evakuan ditë më vonë pas zbulimit të “Legionellas”, bakterit që mund të shkaktojë vdekjen dhe që njihet si “Sëmundja e Legjionarëve”.

Emigrantët u kthyen në maune rreth dy muaj më vonë dhe sekretari i dytë i Zyrës së Brendshme, Simon Ridley u tha deputetëve në nëntor se kishte rreth 200 njerëz në bord. Deputeti i Dorsetit të Jugut, Richard Drax e përshkroi lajmin si një “tragjedi e lindur nga një situatë e pamundur”.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA