A do të arrestohet Berisha? Anila Hoxha: Ka kaluar të 70-tat, por SPAK mund të kërkojë edhe burg, për një arsye…

18/12/2023 22:07

Këshilli i Mandateve i hapi rrugën SPAK-ut për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, por çfarë ndodh më pas?

Prokurorët do të vendosin midis “arrestit me burg” dhe “arrestit shtëpiak” për Berishën, por sipas ligjit, ndalohet ashpërsimi dhe masa e sigurisë arrest me burg për persona që janë mbi 70 vjeç.

Sali Berisha e ka kapërcyer këtë kufi, ai është 79 vjeç.

Por, gazetarja Anila Hoxha, në një lidhje live nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion për emisionin “Top Story” shpjegoi se pika e dytë e nenit 230 të kodit të procedurës penale, ka sërish një opsion, që del përtej parashikimit të asaj që prokurorët mund të kërkojnë. Prokurorët mund të kërkojnë edhe arrest me burg, sepse sikurse e parashikon ky kod, ‘mund të kërkohet masë shtrënguese nga prokurorët dhe të jepet nga gjykata edhe për persona mbi 70 vjeç, kur ky person është dënuar apo po hetohet për vepra penale që kanë parashikim deri në 10 vite burgim, arsyetoi Hoxha.

Berisha akuzohet për veprën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, një vepër që sipas kodit penal është e dënueshme nga 4 deri në 12 vite burgim.

Për shkak se ligji i ka lënë të dyja mundësitë, ish-kryeministri është mes dy zjarreve. Gjithçka do të lihet në dorë të prokurorëve.

Kur të vendoset masa e ndalimit, Berisha nuk do të ketë më mundësi të komunikojë me qytetarët as përmes rrjeteve sociale.

Çdo shtetas që vendoset në arrest shtëpiak ka disa ndalime. Ai duhet të komunikojë vetëm me anëtarët e familjes së tij, ai nuk mund të dalë nga banesa dhe kontrollohet nga policia lokale, e cila njoftohet për adresën se ku ekzekutohet kjo masë, shpjegoi gazetarja e Top Channel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA