Ulja e çmimit të bimëve mjekësore! Fermerët në Malësi të Madhe: Rrezikojmë falimentimin

17/12/2023 20:07

Pavarësisht se temperaturat kanë renë ndjeshëm dhe i ftohti ka përfshirë të gjithë veriun, çifti Ram dhe Sadete Kuka, po vazhdojnë punën për korrjen e bimëve medicinale.

Ata kanë 22 hektarë tokë të mbjellë me sherebele në fshatin e tyre, në Gradec të Malësisë së Madhe. Çifti tregon se vite më përpara kultivimi i bimëve medicinale ia vlente.

“Kur ishte 2000 leke kg, ia vlente dhe e kultivuan të gjithë. Ishte mirë! Tani nuk e di por Malësia e Madhe ka cilësi të mirë. 1200 lek e kanë marrë në verë, ndërsa tani nuk e kërkojnë fare. Nëse vazhdohet me këtë çmim, maksimumi vazhdon edhe 1 vit dhe e lenë të gjithë. Nuk ia del me punëtorë. Unë kujdesem vetë por të paguajmë edhe punëtoret pastaj nuk del asgjë”, tha Ram Kuka.

“Kjo është e lodhshme shumë! Tani duhet të korret. Bie shi, lagështirë dhe nuk di të thahet kurrë. Nis atëherë pranvera dhe mbushet me bar. 2-3 muaj na shkojnë vetëm të pastrojmë barin. Jo punojmë njësoj, nuk punojmë më shumë as njëri as tjetri. Punojmë bashkë. Burri është pak më i rregullt me i shkathët, por punojmë bashkë”, tha Sadete Kuka.

Fermeri 65 vjeçar, bën apel për rritjen e çmimit sepse në të kundërt jo vetëm që nuk do të prodhohet më, por dhjetëra familje në Malësi të Madhe, do të mbeten të papunë.

“Asgjë nuk na mban vetëm sherebela. Po iku edhe sherebela atëherë asgjë, marrin fund. Ça të bëjmë ? Të mbjellim foragjera nuk bën, s’ka ujë! As jonxhë, as tërfil asgjë ! Nuk bëhet asgjë këtu. Ne dikur kemi mbajtur bagëtitë në mal dhe të gjithë kemi punuar në koperativë”, tha fermeri.

Për shkak të cilësisë së lartë, bimët medicinale të Malësisë së Madhe, eksportohen kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por në dy vitet e fundit, fermerët ankohen se çmimi i blerjes së Sherbelës ka rënë ndjeshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA