Arsenal nuk gaboi në ndeshjen e shtëpisë ndaj Brighton me “topçinjtë” që fituan me shifrat 2-0.
Goli vendimtar për skuadrën e drejtuar nga trajneri Mikel Arteta u shënua në fraksionin e dytë nga Gabriel Jesus. Braziliani shfrytëzoi në maksimum një goditje këndi dhe me portën e boshatisur e pati të pamundur të gabonte.
Tre minuta para fundit të ndeshjes, Arsenal realizoi edhe golin e dytë e të qetësisë me Kai Havertz që nuk fali përballë portierit kundërshtar.
Një trepikësh me shumë vlera për Arsenal që aktualisht ngjitet në krye të Premier League me 39 pikë, ndërsa Brighton mbetet në vendin e nëntë me 26 pikë. Në ndeshjen tjetër, Aston Villa vijon ëndrrën në Premier League teksa fitoi me përmbysje 2-1 ndaj Brentford në transfertë. Vendasit kaluan në avantazh me Lewis-Potter në minutën e 45, por në fraksionin e dytë, një karton i kuq i marrë nga Mee në minutën e 71 ndryshoi tërësisht rrjedhën e takimit.
Gjashtë minuta më pas, Villa barazoi me anë të Morenos ndërsa në të 85-tën, Watkins realizoi golin e përmbysjes. Tension në fund dhe Aston Villa e mbylli po me 10 lojtarë ndeshjen pas daljes me karton të kuq të Kamara. Gjithsesi, tre pikët shkuan për miqtë që ngjiten në kuotën e 38 pikëve në vend të dytë për momentin. Brentford mbetet në vendin e 12 me 19 pikë.
Ndërkaq, West Ham nuk gaboi në shtëpi dhe fitoi me shifrat 3-0 përballë Wolverhampton falë golave të Kudus dy herë në pjesën e parë dhe një nga Bowen në të dytën. Pas këtij trepikëshi, Çekanët ngjiten në vendin e shtatë me 27 pikë, ndërsa nga ana tjetër, Wolverhampton mbetet me 19 pikë në vend të 13./ SuperSport
Top Channel