Kryeministrja Giorgia Meloni ka mbërritur në Atreju ku po mbahet eventi i “Frateli d’italia” për të dëgjuar fjalimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“La Repubblica” shkruan se Meloni u ul në rreshtin e parë, kur me një ovacion të madh u prit ardhja e kryeministrit shqiptar.
Presidenti i Senatit Ignazio La Russa u ul pranë Melonit. I ftuar në këtë event ishte dhe manjati Elon Musk i cili erdhi bashkë me djalin e tij në krah, dhe kjo nuk ishte e paqëllmshme. Pronari i Teslas ishte i pari që foli.
“Emigracioni” nuk mund të zgjidhë rënien e “demografisë” të vendeve të industrializuara”, nënvizon Musk që përmend rastin e “Kinës e cila do të humbasë 40% të popullsisë së saj”.
“Këshilla ime për të gjithë drejtuesit e qeverisë dhe njerëzit është: sigurohuni që të keni fëmijë për të krijuar një brez të ri.”
Elon Musk më pas u bëri thirrje italianëve dhe vendeve të tjera të industrializuara që të kenë fëmijë “përndryshe kultura e Italisë, Japonisë dhe Francës do të zhduket. Ne rrezikojmë të mos i kemi më këto vende. Italia sigurisht që ka kufij por është bërë nga italianët, nga njerëzit”, nënvizoi ai.
Rama: I sigurt për marrëveshjen e emigrantëve, nuk është antikushtetuese
Pas Musk ishte radha e kryeministrit shqiptar Edi Rama.
“Besoj se është bërë një zhurmë jo proporcionale për historinë e kësaj marrëveshjeje, gjë që është shumë e natyrshme. Askush nuk duhet të habitet apo të trembet kur ne bëjmë marrëveshje të mirëkuptimit dhe përfitimit të përbashkët”, tha Edi Rama, duke iu referuar marrëveshjes për emigrantët.
“Është gjithmonë një nder të japësh dorën kur ta kërkon Italia dhe do të jetë gjithmonë një privilegj të konsiderohemi mik i veçantë i Italisë, duhet të bëjmë gjithçka për të qenë vëllau i Italisë”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen Meloni-Rama.
“Gjykata Kushtetuese shqiptare ka kryer detyrën e saj, pasi sipas Kushtetutës është automatike pezullimi i një marrëveshjeje për ta marrë në konsideratë para ratifikimit nga Parlamenti. Kjo është një provë që unë nuk i kontrolloj gjykatat në Shqipëri. Kam besim, sepse marrëveshja nuk ka asgjë antikushtetuese. Deri në mars është afati kohor, por mendoj se vendimi do të merret shumë më herët sepse është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe të dyja qeveritë duhet të dinë nëse mund të vazhdojnë apo jo. Kemi pasur kërkesa të tjera nga vendet europiane për të pranuar emigrantë, por ne u thamë jo”, tha Rama.
Pas kryeministrit shqiptar dhe Elon Musk do të jetë radha e kryeministrit britanik Rishi Sunak. Kryeministrja Giorgia Meloni do të ketë edhe dy bisedime dypalëshe me Sunak dhe Ramën në Palazzo Chigi.
Top Channel