Morën peng një 21-vjeçar, arrestohen autorët në Fier! Në pranga edhe polici që nuk kallëzoi ngjarjen

16/12/2023 07:29
Foto ilusteuse

Dy persona kanë marrë peng një 21-vjeçar për rreth tre orë në Fier.

Bëhet fjalë për 26-vjeçarin K. B., dhe 25-vjeçarin E. A., banues në Fier të cilët kanë rënë në pranga, si dhe bashkëpunëtori i tyre në arrati, A. Z., 32 vjeç, banues në Mallakastër.

Ngjarja në fshatin Ferras, Fier, ku autorët, për shkak të një debati që kanë pasur para 2 ditësh, për motive të dobëta, me kushëririn 21-vjeçarit, kanë ndaluar automjetin me të cilin ai po udhëtonte, e kanë dëmtuar atë dhe e kanë marrë me forcë për rreth 3 orë.

Ata akuzohen për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Vjedhja me dhunë” të kryera në bashkëpunim.

Gjithashtu, rezultoi se punonjësi i policisë G. Y., 31 vjeç, banues në Fier, me detyrë trup shërbimi në seksionin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka pasur dijeni për ngjarjen por nuk ka njoftuar strukturat e Policisë, për të cilin u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

U sekuestrua automjeti me të cilën autorët morën me forcë 21-vjeçarin si edhe automjeti me të cilin udhëtonte 21-vjeçari, të cilin autorët e kishin marrë dhe fshehur në fshatin Ferras.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel