Kapiteni i Luton, Tom Lockyer, pësoi atak kardiak pak minuta më parë, gjatë ndeshjes në transfertë ndaj Bournemouth, duke tronditur gjithë të pranishmit në “Vitality Stadium”, me sfidën që u ndërpre në minutën e 66’.
29-veçari u shpëtua falë ndërhyrjes së menjëhershme të stafeve mjekësore me defibrilator, teksa u nxor me barelë maskë oksigjeni nga fusha e lojës. Megjithatë ky nuk është rasti i parë që Lockyer ka pësuar një arrest kardiak në fushë.
Më 27 maj 2023, Lockyer pësoi arrest kardiak në minutën e 12-të të ndeshjes ndaj Coventry në Championship, ndërsa edhe nga ajo sfidë jeta e mbrojtësit u shpëtua pas ndërhyrjes së stafeve mjekësore.
Kapiteni i Luton iu nënshtrua një operacioni në zemër, ndërsa u rikthye pas disa muajsh në fushën e blertë sërish.
Megjithatë këtë të shtunë Tom Lockyer pësoi një tjetër atak kardiak dhe humbi ndjenjat në fushën e lojës, në sfidën me Bournemouth, ndërsa ende nuk dihet gjendja e lojtarit. Sfida Bournemouth-Luton, ndërkohë është pezulluar për t’u luajtur për një moment tjetër.
Top Channel