Shqipëria i riktheu sot 20 ikona që rezultonin të humbura Maqedonisë së Veriut.
Ceremonia u zhvillua sot, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, si një akt simbolik dorëzimi mes Ministres së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Elva Margariti dhe homologes së saj maqedonase, Bisera Kostadinovska Stojchevska.
Nga ana e saj ministrja e Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska Stojchevska vlerësoi aktin e dorëzimit të këtyre ikonave që datonin mes shek. XVII-XIX, nga ana e Shqipërisë.
Fillesa e kësaj dite është aksioni i vitit 2013, kur Policia e Shtetit sekuestroi 476 vepra të dyshuara si trashëgimi kulturore dhe hapi procedimin penal pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Me përfundimin e veprimeve hetimore dhe vendimet e formës së prerë në të gjitha shkallët e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, Ministria e Kulturës ngriti një grup pune për vlerësimin dhe kategorizimin e objekteve trashëgimi kulturore, tashmë të kaluara në pronësi të shtetit shqiptar.
Në vitin 2018 Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbështetje të dispozitave të Konventës së UNESCO-s të 14 Nëntorit 1970 “Mbi mjetet e ndalimit dhe parandalimin e transportit ilegal, eksportin dhe transferimin e Pronësisë së Pasurisë Kulturore”, ngriti pretendimin për pronësinë e disa prej objekteve të sekuestruara.
Raporti përfundimtar i grupit të punës konkludoi se ikonat e pretenduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut përputhen me ikonat e sekuestruara gjatë aksionit të vitit 2013, subjekte të zbatimit të dispozitave të Konventës së UNESCO-s, 1970. Bëhej fjalë për 20 të tilla.
Në 12 korrik 2021, gjatë takimit dypalësh të ministrave të Kulturës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, homologu nga Maqedonia e Veriut parashtroi kërkesën që palët të dakordësojnë një marrëveshje për rikthimin e ikonave të trafikuara në territorin shqiptar.
Top Channel