Në fshatin e gjelave të detit, në Baldushk, edhe këtë vit çmimi i gjelit të detit është rritur me 100 lekë.
Pavarësisht kësaj, shqiptarëve nuk do t’ju mungojë mbreti i tavolinës, pasi prenotimet kanë nisur që prej 1 muaji më parë.
Zeliha Saliu, banore e zonës na tregon se këtë vit gjelin e detit e shet me 1200 lek/kg ndërsa pulën me 1400 lekë.
“Gjelin e detit e shes me 1200 lek/kg kurse pulën e shes me 1400 lek/kg. Prenotojnë me telefon, ose vijnë këtu shohin gjelat, i zgjedhin dhe vijnë i marrin me datë 28-29 dhjetor. Unë kam 100 krerë, gjysmat i kam të prenotuara”.
Rritja e çmimit tregojnë fermerët e Baldukshut ka ardhur dhe prej rritjes së shpenzimeve që ata kanë, ndërsa tregojnë edhe vështirësitë, me të cilat hasen gjatë vitit.
“Ne rrimë gjithë ditës pas tyre, 8 muaj i rrimë nga pas. Është rritur edhe misri, duhen edhe gjilpëra, kanë shpenzime”, tha një banor.
Krahas atyre që e kanë prenotuar me telefon, në Baldushk takuam dhe qytetarët që shkuan ta zgjedhin vet gjelin që do të shtrojnë në tryezë mbrëmjen e ndërrimit të viteve.
“Sikur ta shisnin me 10 mijë lek/kg më mirë do ishte. Do ti festojmë krishtlindjet dhe vitin e ri, po erdhëm këtu se donin që ta zgjidhnim të freskët”.
Ditën e hënë, në Baldushk do të bëhet funksional dhe tregu i gjelit të detit, që do të qëndrojë i hapur deri më 31 dhjetor.
Top Channel