Milan/ Pioli tregon pengun e madh, Leao: Të fitojmë Europa League

14/12/2023 09:50

Milani ia doli të fitonte në Angli përballë Newcastle, por suksesi 1-2 nuk u mjaftoi kuqezinjtë për të vijuar rrugëtimin në Champions League.

PSG avancoi falë golavarazhit më të mirë në duelet direkte, ndërkohë që skuadra e Stefano Piolit do të transferohet në Europa League. Kompeticion që nuk e ka fituar kurrë më parë.

“Pengu më i madh lidhet me ndeshjen e parë kundër Newcastle (0-0), pasi duhej ta kishim fituar për mënyrën se si luajtëm. Na vjen shumë keq që nuk arritëm të kualifikoheshim. Nuk fitonim në Angli prej vitit 2005,

Ne luftuam dhe besuam deri në fund. Jam i kënaqur me fitoren, por i hidhëruar për largimin nga Champions League.

Ndjej keqardhje që nuk arrita të marr maksimumin e ekipit në grupe, sepse vazhdoj te them se kam nje ekip shumë më të fortë se vjet“, deklaroi trajneri Pioli.

Ndërkohë, Rafael Leao, i cili u rikthyer në fushë pas gati një muaji mungesë, u shpreh pas ndeshjes se ai dhe shokët e tij do të tentojnë të fitojnë Europa League.

“Donim të vazhdonim në Champions, e dinim që nuk mund të avanconim dot përpara pa fitore. U gëzuam për tri pikët, tani të vijojmë përpara në Europa League, që Milani nuk e ka fituar kurrë më parë. Le të provojmë ta fitojmë.

Ku dështuam? Mendoj se na ka munguar uria, sidomos në 2 ndeshjet e para të grupit, sepse teknikisht kemi qenë mirë. E kundërta ndodhi ndaj Newcastle, uria dhe shpirti i ekipit përmbysi ndeshjen”, deklaroi “ylli” portugez.

Në fund edhe një koment për rikthimin e tij: “Nuk isha në formën më të mirë, por skuadra më ndihmoi shumë. Me vjen keq që nuk shënova te rasti që u ndala nga shtylla”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA