Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti i Serbisë “vazhdon të fshehë të vërtetën për vrasjen e të rinjve serbë edhe pas një çerek shekulli”, duke iu referuar vrasjeve në lokalin “Panda” në Pejë më 14 dhjetor 1998.

“…Sikurse vazhdon të mos i pranojë krimet e kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës 1998-’99”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se “kjo heshtje flet për mendësinë e pandryshuar politike të Serbisë karshi Republikës së Kosovës”.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka thënë se në këtë lokal, më 14 dhjetor të vitit 1998 autoritetet serbe “inskenuan vrasjen e gjashtë të rinjve serbë”.

Kurti, po ashtu, publikoi disa fotografi, në të cilat shihet se para objektit ku kanë ndodhur vrasjet, është vendosur pllaka përkujtimore.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që objektin e ish-Pandës ta fusë nën mbrojtje të përhershme. Me shpalljen e këtij vendimi, në tetor të vitit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se lokali do t’i shërbejë kujtesës kolektive për krimin që, sipas tij, është bërë nga Serbia.

Mbrëmjen e 14 dhjetorit të vitit 1998, rreth orës 20:00, dy persona të maskuar hynë në kafene dhe gjuajtën me breshëri plumbash mbi ata që ishin brenda. Të vrarë në vend mbetën: Ivan Radeviq, 25 vjeç, Ivan Obradoviq, 14 vjeç, Vukota Gvozdenoviq, 16 vjeç, dhe Dragan Trifoviq, 17 vjeç. Po atë natë, si pasojë e plagëve të marra, në spital vdiqën: Svetisllav Ristiq, 18 vjeç, dhe Zoran Stanojeviq, 17 vjeç.

“Serbia i vrau gjashtë të rinj serbë, të moshave 14, 16, 17, 18 dhe 24 vjeç, në përpjekjen e regjimit të Millosheviqit për të justifikuar spastrimin etnik dhe gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Vrasja e gjashtë të rinjve serbë ndodhi në një kohë kur tensionet ndëretnike në Kosovë ishin të larta. Lufta mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës veçse kishte filluar. Pikërisht në ditën e vrasjeve në “Panda”, disa pjesëtarë të UÇK-së u vranë në një pritë të forcave serbe, teksa bartnin armë nga Shqipëria.

Vrasjet në “Panda” u panë si një akt hakmarrjeje, çfarë çoi, pastaj, në bastisje e arrestime të shqiptarëve nëpër Pejë. Pas vrasjeve, si të dyshuar u arrestuan Agron Kollçaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Vllaznim Pergjegjaj, Beqir Loxha dhe Behar Bajri.

Të gjithë u liruan 12 muaj më vonë nga gjykata në Beograd, në mungesë provash për përfshirjen e tyre në vrasje.

Rreth 14 vjet pas ngjarjes në “Panda”, në vitin 2013, Aleksandar Vuçiç, që në atë kohë ishte zëvendëskryeministër i Serbisë, la të kuptohej se krimi “mund të mos ishte kryer nga shqiptarët”.

Në një intervistë për Televizionin “Pink” në Serbi, ai tha se zbardhja e këtyre vrasjeve do të mund të ishte befasi në të ardhmen. Nga ajo kohë qarkulluan dyshime se vrasja mund të ishte inskenuar nga autoritetet serbe. Hetimi i rastit nga Prokuroria e Serbisë, që nisi në vitin 2016, vazhdon ende – pa rezultat.

Kjo prokurori i tha më herët Radios Evropa e Lirë se “janë marrë në pyetje dhjetëra dëshmitarë dhe janë siguruar prova të shumta materiale”, porse “rasti është ende në hetim”. Familjarët e viktimave në rastin “Panda” kërkojnë vazhdimisht takim me Vuçiqin, tani president i Serbisë, por një i tillë nuk është realizuar ende.

Top Channel