Gjykatësi i Agron Zhukri vendosi të rrëzojë kërkesë-padinë e familjarëve të Sanie Sulajt, duke e konsideruar të pabazuar në prova.
“Prap i njëjti fat e priti. Gjyqtari i çështjes Agron Zhukri nuk e di ku e bazoi rrëzimin e kërkesës së padisë të bërë nga ana jonë”- u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës.
Ai vendim gjyqësor ishte një moment ku familja e pamundur e Sanie Sulajt pati pasoja të tjera ekonomike, psikologjike por mbi të gjitha, edhe jetësore. Djali tjetër i saj që vuante nga e njëjta sëmundje, u përkeqësua dhe humbi jetën.
“Kërkojmë vetëm drejtësi. Spitali Amerikan nuk dërgoi asnjë telegram ngushëllimi për këtë ngjarje, për mua ata nuk janë njerëz”- u shpreh Saimir Sulaj, djali viktimës.
Gjyqtari Agron Zhukri përbën një emër të lakuar shpesh për një çështje të bujshme politike. Është pikërisht ky gjyqtar, i cili në 25 mars të vitit 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës. Në atë kohë, dolën zbuluar lidhjet e tij të hershme me Berishën. Bashkëshortja e gjyqtarit dikur kishte qenë sekretare personale e Berishës dhe pozicioni i tij u konsiderua në konflikt interesi. Vendimi i Zhukrit në favor të Spitalit Amerikan, ka disa momente që meritojnë analizë të detajuar.
Themeluesi dhe Administratori i Spitalit Amerikan Klodian Allajbeu, është një person që siç do të zbulojmë pak më poshtë, ka ndarë interesa me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit. Mjaft interesant është qëndrimi i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike që përmend koncesionet e Shëndetësisë, por nuk përmend kurrë atë të Dializës. Devotshmëria e treguar për depozitimin e padive në SPAK për koncesionet, nuk është shfaqur kurrë për Dializën.
Vendimarrja e Zhukrit në favor të Spitalit Amerikan, pësoi një goditje të fortë juridike nga vetë sistemi gjyqësor. Në Gjykatën e Tiranës, u depozitua një tjetër padi, me të njëjtat argumente për vdekjen e pacientes tjetër Hanife Mali. Në këtë rast, gjyqtarja Mimoza Kajo pranoi padinë e familjarëve të Hanifes së ndjerë, duke vendosur caktimin e një dëmshpërblimi prej 13.4 milionë lekësh në total. Pra, Spitali Amerikan bëhej përgjegjës për tragjedinë.
“Të njëjtin fat kishte edhe Hanife Mali, për atë u hap padi dhe u pranua, ndërsa për mamanë tonë jo. Një nga dy gjyqtarët duhet të mbajë përgjegjësi. Në një ngjarje në të njëjtin vend dhanë shpirt të dyja, si ai zotria paska të drejtë ndërsa ne jo?! Ky është paradoks i drejtësisë shqiptare”- u shpreh Saimir Sulaj, djali i viktimës.
Në rastin e parë, duket se gjyqtari Zhukri kishte marrë parasysh parashtrimet e avokatit të Spitalit Amerikan që pretendonte se ngjarja mund të ndodhte kudo, duke qenë se ishte agresion i papritur. Ndërkohë, në rastin tjetër, gjyqtarja Mimoza Kajo tregohet mjaft e prerë kur argumenton se Spitali Privat duhet të mbahet përgjegjës. Kjo, pasi ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të këtij subjekti.
Pala e paditur nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë veprimtarisë së saj mjeksore duke lejuar që në repartet e shërbimit mjeksor të hyjnë persona me lëndë djegëse.
– pala e paditur nuk ka marrë asnjë masë për të mënjanuar dëmin e shkaktuar, vdekjen e trashëgimlënëses së tyre.
– pala e paditur nuk ka marrë asnjë masë dhe ka shkelur ligjet për trajtimin e pacientëve, kur veprimtaria e themelore e saj është ofrimi i kujdesit shëndetsor.
Bazuar në këto argumente, në përfundimin e gjykimit të çështjes u vendos pranimi i padisë që detyroi Spitalin Amerikan të dëmshpërblejë 5 familjarët e viktimës me nga 2.6 milionë lekë secili. Në total, rreth 13.4 milionë lekë të reja të cilat të dëmtuarit nuk i kanë marrë sot e kësaj dite.
Top Channel