Biden paralajmëron republikanët: Mohimi i ndihmës për Ukrainën, dhuratë për Putinin!

13/12/2023 07:18

Mohimi i ndihmës për Ukrainën do të ishte një “dhuratë” për Rusinë: në konferencën për shtyp me presidentin Volodimir Zelensky në krah, Joe Biden insistoi se as ai, as populli amerikan nuk do ta braktisnin Ukrainën, por i paralajmëroi ligjvënësit që po bllokojnë ndihmën për të në Kongres mbi rreziqet që bart një lëvizje e tillë.

“Putini po shpreson që Shtetet e Bashkuara të mos e mbështesin Ukrainën. Ne duhet t’i tregojmë se e ka gabim. Kongresi duhet ta miratojë paketën e ndihmës dhe të mos i japë Putinit dhuratën më të madhe të Krishtlindjes me mosaprovimin e saj.”

Zelensky udhëtoi në Uashington për të kërkuar fonde në mbështetje të vendit të tij në luftën me Rusinë, por u përball me një pritje skeptike nga ligjvënësit kryesorë republikanë. Kreu i shtetit ukrainas u shpreh se vendi i tij po bënte përparim dhe theksoi se suksesi i tij në këtë konflikt, do të kishte ndikim edhe tek vendet e tjera evropiane.

“Ukraina po lufton për “lirinë tonë dhe tuajën” po me gjithë diplomacinë e tij intensive në Uashington, ndihma shtesë është në dyshim serioz. Mike Johnson, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, tha se nuk do ta mbështeste kërkesën e presidentit Biden për t’i dhënë Ukrainës 61.4 miliardë dollarë. Pas takimit me Zelenskyt, ai u shpreh se administrata amerikane duhet të japë më shumë detaje se si do të përdoren fondet.

“Ajo që unë shoh është se po kërkohen miliarda dollarë shtesë pa mbikëqyrjen e duhur, pa strategji të qartë për fitoren dhe pa asnjë përgjigje për ato që kërkon populli amerikan”, deklaroi Johnson. Republikanë të tjerë hodhën dyshime nëse fondet shtesë do ta ndihmojnë Ukrainën të mposhtë Rusinë, pas një ofensive verore që nuk solli asnjë përfitim të qartë.

“Unë e di se të gjithë duan fitoren e Ukrainës, thjesht nuk po e shoh që kjo të ndodhë”, tha senatori republikan Ron Johnson. Zelensky nga ana e tij u shfaq i palëkundur në qëndrimin e tij duke hedhur poshtë çdo thirrje për t’i dorëzuar territor ukrainas Rusisë. “Si mundet Ukraina të heqë dorë nga territori i saj? Të them të drejtën kjo do të ishte çmenduri… Ne kemi njerëzit tanë, kemi familje atje. Po flasim për qenie njerëzore”, u shpreh ai.

Top Channel