Të shtëna me armë raportohen gjatë natës së kaluar në Kurbin, ku dyshohet se është qëlluar drejt një polici.

Ishte vetë 23-vjeçari, punonjës i Forcave Shqiponja pranë drejtorisë se Lezhës që ka bërë denoncimin në komisariatin e Kurbinit se dy persona kanë qëlluar me armë drejt tij.

Sipas denoncimit të tij, rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, sapo doli nga banesa për në punë me automjet privat, pa në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut” dy shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, qëlluan me armë zjarri, në ajër.

Polici u kundërpërgjigj, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit, ndërsa nga të shtënat nuk u dëmtua asnjë shtetas.

Por, pasi efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën vetëm gëzhojat e armës së kolegut të tyre.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë”, njofton policia.

Pritet hetimi i mëtejshëm për zbardhjen e ngjarjes.

Top Channel