Korçë/ Shiste kapsolla dhe mallra kontrabandë dhe fshihte të ardhurat, nën hetim 61-vjeçarja

12/12/2023 14:07

Një 61-vjeçare është nën hetim në Korçë pasi shiste kapsolla dhe mallra kontrabandë. 

Policia ushtroi kontroll në dyqanin e shitëses me iniciale F. M., në lagjen nr. 1, Korçë, ku u gjetën disa kuti me kapsolla dhe paketa me cigare pa pullën fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

61-vjeçarja akuzohet për veprat penale “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Shitëses iu sekuestruan kapsollat dhe mallrat kontrabandë.

“Në zbatim të planit të posaçëm operacional policor dhe udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, për ndalimin e zhurmave në zonat e banuara dhe për ndalimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret, shërbimet e strukturave të DVP Korçë dhe të Komisariateve vartëse të saj kanë vijuar me kontrolle në subjekte të ndryshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel