Fermerët kolumbianë tentojnë të rimiqësohen me kondorin e Andeve, dikur armik i vjetër

12/12/2023 19:37

Në rreth 4,200 metra lartësi në malet kolumbiane, një tufë kondorësh hanë nga kufoma e një viçi, të lënë aty nga fermerët vendas, që po përpiqen të riafrohen me shpendët që kanë qenë me pare armiku i tyre.

Deri disa vjet më parë fermerët besonin se shpendët ishin nje rrezik për bagëtitë e tyre dhe i qëllonin ose i helmonin, shkruan rrjeti AFP.

Sot ata njohin rëndësinë e tyre si një specie pastruese që parandalon ndotjen e burimeve ujore dhe gjithashtu si simbol i Kolumbisë.

“Është një zog i mrekullueshëm ku e shikon të fluturojë,” thotë Diana Bautista, rezidente e zonës Almorzadero në bashkinë e Cerrito.

Fermerët thonë se janë të ndërgjegjshëm për nevojën e mbrojtjes së një prej zogjve më të mëdhenj në botë, i cili raportohet se është në rrezik zhdukjeje.

“Unë nuk besoj në gjërat e këqija që janë thënë për kondorët”, shton Bautista, duke iu referuar fjalëve për sulme ndaj bagëtive.

Kështu që rreth njëzet familje vendase kanë gjetur një alternativë ndaj konfliktit të vjetër; Ata thonë se ndërtojnë rrethore për kafshët e tyre ndërsa kondorët i ushqejnë me mish të mbetur nga fetuset e lopëve ose kafshë të sëmura.

Zogjtë ‘me jakë të bardhë’ dhe krahë gjigante që arrijnë deri në tre metra hapje, sillen rreth maleve dhe janë protagonistë të muraleve të qytetit.

Ekosistemi malor vendas i njohur si ‘paramo’ përfshin dhe bimët e njohura vendase ‘frailejones’, të cilat mund të mbajnë ujë në gjethet e tyre të forta, cka shfrytëzohet nga shpendet.

70% përqind e ujit të konsumuar nga 50 milionë kolumbianë llogaritet se vjen nga rajone të tilla páramo.

Disa kryqe të formuara me gurë duket sikur të ftojnë të zbuloni rezervatin e kondorëve në El Almorzadero.

Banorët thonë se kryqet janë pjesë e legjendës, sipas të cilës çdo vizitor ndërton një të tillë për të ndjellë diellin që të mund të admirojë kondorët në fluturim.

Një shoqatë ekspertësh është ngritur tashme me përfaqësues nga Kili, Argjentina, Bolivia, Ekuadori, Kolumbia, Peruja e Venezuela për të bashkuar përpjekjet e mbrojtjes së kondorëve, që raportohet se numërohen vetëm rreth 6000 individe në këto vende latine.

Ata thonë se “kondorët nuk i njohin kufijtë shtetërorë”, prandaj është i nevojshëm koordinimi i përpjekjeve për të ndërgjegjësuar mbi situatën e tyre.

FOTO GALERI
1/5
Në rreth 4,200 metra lartësi në malet kolumbiane, një tufë kondorësh hanë nga kufoma e një viçi, të lënë aty nga fermerët vendas

Top Channel