Trendi më i fundit të rinjve në përdorimin e lëndëve psikotrope apo drogave sintetike, i cili ka alarmuar strukturat shtetërore do të ndalohet me ligj.
Deri më tani bombolat apo tullumbacet me peroksid azoti nuk futeshin tek lista e drogave të ndaluara ndaj ato u shiteshin të rinjve nëpër bare dhe lokale. Në komisionin parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale është miratuar shtesa e barnave me lëndë psikotrope apo me bazë kanabisi për arsye mjekësore si dhe lista e lëndëve narkotike që ndalohen në vendin tonë.
“Lëndët narkotike dhe psikotrope apo drogat e ndryshme sintetike që përdoren nga të rinjtë nëpër festa apo bare e restorante shkaktojnë probleme të mëdha neurologjike tek të rinjtë si dhe i fut ata drejt rrugës së përdorimit. Këto kufizime pritet të miratohen edhe në parlament dhe autoritetet besojnë se do të frenojnë jo vetëm shitjen e tyre por edhe përdorimin nga të rinjtë”, tha Klodiana Spahiu.
Konsumi i drogës nga të rinjtë ka marrë përmasa të konsiderueshme në vendin tonë dhe kërkon angazhim jo vetëm të strukturave ndaluese por edhe të shoqërisë për të mbajtur të rinjtë larg këtij fenomeni.
Top Channel