Ekskluzive/ Gjykata: Berishës nuk iu cenua liria! Malltezi u lirua nga burgu sepse nuk ka rrezik që të ikë

11/12/2023 15:01

Pretendimi i ish-kryeministrit Sali Berisha, se SPAK duhet të merrte autorizim nga Kuvendi, për masën e sigurisë ndaj tij, është çmuar i pabazuar në prova.

Në vendimin e zbardhur gjatë ditës nga Gjykata e Apelit, që Top Channel e disponon ekskluzivisht, gjykata kujton ndryshimet kushtetuese të 2012-ës, për mburojën apo imunitetin e deputetëve dhe konceptin e paprekshmërisë, që në rastin e Berishës nuk është shkelur as nga SPAK dhe as nga shkalla e parë.

Gjykata e Apelit shpjegon se masa e detyrimit me paraqitje, shpallur për Berishën, është një fuqi shtrënguese që nuk heq lirinë personale apo fizike të ankuesit Sali Berisha, por vetëm lirinë e lëvizjes së tij jashtë shtetit.

Kjo masë që e detyron deputetin të paraqitet para policisë gjyqësore në ditë dhe orë të caktuara, sipas apelit nuk kërkon autorizim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, shprehet gjyqtarja Iliriana Olldashi.

Gjykata shpjegon se imuniteti parlamentar nuk është një privilegj personal i deputetëve, por garanton që secili prej tyre të mund të ushtrojë lirisht mandatin e tij pa u ekspozuar ndaj persekutimit politik arbitrar, thuhet në vendimin e zbardhur, duke sqaruar se liria personale e deputetit Berisha do të ishte prekur në rast se do të zbatohej heqja e lirisë me vendim gjykate; urdhri i ndalimit të prokurorit, ndalimi me inisiativë nga policia gjyqësore, arrestimi në flagrancë”, diçka që nuk ka ndodhur.

Ky shpjegim hedh poshtë një nga kartat e Berishës për dosjen Partizani që ka insistuar përmes avokatëve edhe në apelit se mos marrja e një autorizimi e bën diskriminuese masën e shpallur për shkak të bindjeve politike të tij.

Gjykata ka hedhur poshtë edhe konsideratën e Berishës dhe dhëndrit të tij se Irena Gjoka ishte e njëanshme dhe se ata nuk patën mundësi të mbrohen.

Edhe nga dy Konventat Ndërkombëtare, Shtet Palë i së cilave është Republika e Shqipërisë, deduktohet se korrupsioni është ajo vepër penale në të cilën funksionari/zyrtari publik e kthen në “send të tregtueshëm” autoritetin e tij për të kryer apo të moskryer një veprim që lidhet me funksionin e tij dhe ky abuzim me fuqinë zyrtare është një nga veprimet më të rënda të keqpërdorimit të detyrës, që del jashtë kufijve të së drejtës, për një përfitim të pandershëm, që mund të marrë personalisht vetë funksionari publik, apo një i tretë i lidhur me të, shton Gjykata e Apelit.

Sipas Iliriana Olldashit, duke “vënë në shitje” autoritetin që ushtron dhe që i është besuar, zyrtari apo funksionari i lartë publik nëpërkëmb, jo vetëm detyrat specifike të funksionit të tij, por tradhton në mënyrë të pastër dhe shoqërinë. Vepra penale tipikisht e parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, bëhet edhe më e rëndë kur dyshimi për kryerjen e saj, i ngarkohet kreut të ekzekutivit, sikundër ka qenë në kohën e ngjarjes i hetuari ankues Sali Berisha, argumenton gjyqtarja e apelit.

Gjyqtarja Olldashi shpjegon se përse zbuti masën ndaj dhëndrit të ish-kryeministrit, duke e dërguar Malltezin nga arrest me burg në shtëpi. Gjykata mes të tjerave çmon se nuk ka rrezik ikjeje. Mbas zbardhjes së vendimit, SPAK pritet të dorëzojë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA