Vrasja e 41-vjeçarit në Fier/ Sekuestrohet makina e përdorur nga autorët, nën hetim 70-vjeçari që e fshehu në garazhin e banesës

10/12/2023 11:29

Makina tip “Benz” e përdorur nga autorët për vrasjen e Elton Javorit në datën 7 dhjetor në lagjen “16 Prilli” në Fier është gjetur dhe sekuestruar nga policia.

Automjeti tip “Benz”, i përdorur nga A. G. dhe K. G., gjatë vrasjes së 41-vjeçarit u gjet në garazhin e një 70-vjeçari në Dërmënas të Fierit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier referuan materialet në prokurori dhe nisi hetimi për të moshuarin.

Brenda makinës u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një gëzhojë arme zjarri, ndërsa në banesën e tij u gjet një fishek arme zjarri, një automjet tjetër tip “Benz” i blinduar, në bagazhin e të cilit u gjet edhe një targë automjeti tjetër.

Gjatë kontrolleve në zonë në një banesë, të cilin e kishte në ruajtje i moshuari u gjetën dhe u sekuestruan 3 celularë të fikur, 4 jelekë antiplumb si të Policisë, 1 armë gjahu teke, 1 armë shotgan, 2 krehra pistolete bosh dhe 1 sëpatë me bisht druri, të dyshuara se mund të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Autorët A. G. dhe K. G. vijojnë të jenë në arrati, ndërsa po punohet për kapjen e tyre. Mbi 70-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Motivi i kësaj ngjarjeje kriminale dyshohet një konflikt i nisur disa kohë më parë midis shtetasit A. G. dhe viktimës për motive të dobëta.

Si ndodhi ngjarja?

Autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz”,  vëllezërit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre kanë qëlluar në drejtim të Elton Javorit, i cili po udhëtonte me automjetin tip “Fuoristradë”. Më pas 41-vjeçari i është kundërpërgjigjur, ku ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”. Në afërsi të automjetin të viktimës policia gjeti pistoletën me nr trupi të paidentifikuar e cila u sekuestrua. Mbi dy personat rëndojnë veprat “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA