Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman Safadi, deklaron se Izraeli po e zbaton një politikë për t’i detyruar palestinezët të ikin nga Gaza përmes një lufte që i shkon përshtat “përkufizimit ligjor të gjenocidit”.
Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar si “mashtrime”.
Safadi, vendi i të cilit përkufizohet me Bregun Perëndimor dhe i pranoi shumicën e palestinezëve pas krijimit të Izraelit më 1948, theksoi se Izraeli ka mbjell urrejtje e cila do ta mundojë rajonin dhe përcaktojë gjeneratat e ardhshme.
Izraeli është duke u përballur me kritika dhe thirrje për një armëpushim, sepse i ka vrarë mijëra palestinezë civilë dhe i ka zhvendosur gati 85 për qind të 2.3 milionë banorëve të Gazës brenda territorit të rrethuar, ku, sipas OKB-së, nuk ka mbetur me asnjë vend i sigurt për t’u strehuar.
“Ajo çfarë po shohim në Gazë nuk është thjesht vrasje e njerëzve të pafajshëm dhe shkatërrim i vendbanimeve të tyre [nga Izraeli] por një përpjekje sistematike për ta zbrazur tërë Gazën”– tha Safadi në një konferencë në Doha, raporton REL.
Zëdhënësi i Qeverisë së Izraelit, Eylon Levy, i hodhi poshtë akuzat e Jordanisë, duke thënë: “Natyrisht që këto akuza janë mashtrime dhe tepër fyese. Izraeli po lufton për të mbrojtur veten nga përbindëshat që e kryen masakrën e 7 tetorit, dhe qëllimi i ofensivës tonë është t’i sjellim para drejtësisë këta përbindësha dhe të sigurohemi që ata nuk mund ta lëndojnë më kurrë popullin tonë.”
Izraeli u ka bërë thirrje civilëve në Gazë të largohen nga fushëbetejat për sigurinë e tyre dhe dëshiron që edhe tjerët ta përsërisin këtë thirrje, tha Levy.
Top Channel