Detajet e luftës nga Gaza/ Hamasi “bombë te arushët” në shkolla, armë në çanta ndihmash

10/12/2023 14:41

Lufta në Gaza vijon, ndërsa kryeministri Netanjahu edhe njëherë përsëriti të dielën se objektivi final është eliminimi total i Hamasit, organizatës së shpallur terroriste nga Europa dhe SHBA.

Me operacionet tokësore që po vijojnë tashmë të fokusuara kryesisht në Gazën jugore, ushtria izraelite ka shpërndarë pamje nga armët e gjetura në ndërtesat e braktisura në Gaza. Një arush pelushi i madh u gjet brenda një shkolle, i cili mbrapa tij kishte të fshehur një pushkë snajper dhe municione.

Përveç kësaj, në një shkollë aty pranë, armatime u gjetën të fshehura në klasa, disa të fshehura në çanta të ndihmave humanitare nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera.

Ndërkohë, të shtunën dhjetëra raketa janë lëshuar drejt Izraelit nga Hamasi. Disa prej tyre u lëshuan nga zonat e përcaktuara humanitare pretendon Tel Avivi.

Këtë fundjavë civilët e qytetit më të madh në Gazën jugore, Khan Younis kanë marrë urdhër të evakuohen, ndërsa aty pretendohet të ndodhen bazat e liderëve të Hamasit dhe ushtria izraelite po kryen operacione masive.

Lufta që zgjat prej nëntë javësh filloi me vrasjen e mbi 1200 civilëve në Izrael më 7 tetor dhe rrëmbimit të 240 pengjeve nga Hamasi, ndërsa kundërpgjigja në Gaza ka shkaktuar mbi 17 mijë viktima. OKB dhe OBSH kanë ngritur alarmin e një katastrofe humanitare nëse luftimet nuk ndalin.

Lufta rrezikon të zgjerohet dhe në vendet përreth me ushtrinë izraelite që i është përgjigjur sulmeve nga Hezbollahu në Libi, si dhe grupeve islamike xhihadiste nga Siria. Gjithashtu të ashtuquajturit rebelët Houthi në Jemen kanë sulmuar anijet izraelite me mallra në Detin e Kuq, ndërsa Netanjahu u shpreh se mund të fillojë një operacion kundër tyre.

Izraeli nuk i ndal luftimet, nëse Hamasi nuk dorëzon të gjitha pengjet e mbetura. Në Katar vijojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të re armëpushimi.

Top Channel