“Odise Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta” është ekspozita që do të qëndrojë e çelur në galerinë e artit në Sarandë përgjatë fundvitit dhe javëve të para të Janarit.
Ekspozita e kuruar nga Zana Varvarica është pjesë e fondit të galerisë kombëtare dhe prezanton 49 vepra të 47 autorëve të Shqipërisë Jug – Perëndimore. Veprat në pikturë e skulpturë vijnë në gjininë e kompozimit, portreteve, peizazheve dhe përcjellin përjetime shoqërore që prej periudhës së Pavarësisë e deri në epokën e artit modern.
Sipas drejtuesit të galerisë së Sarandës ky model shëtitës ekspozite po rezulton një formë e mirë edukimi për shkollat por ka edhe interes të lartë turistik për shkak të larmisë në periudha e për pasojë në stil dhe koncept emocional.
“Në këtë ekspozitë përjetimet shoqërore e njerëzore të artistëve të frymëzuar nga ngjarjet para dhe pas luftës, para viteve ’90 dhe pas viteve ’90 solli këtë paketë me veprat më të bukura të mjeshtërve të mëdhenj”, tha Lefter Çeko, drejtues i Galerisë së Artit në Sarandë.
Është një gjë e bukur, një ushqim shpirtëror. Çdo ditë e më shumë kemi vizitorë sidomos nga brezi i ri dhe për ta ne kemi ndërtuar një program të rekomanduar nga Galeria Kombëtare duke bërë edukim pamor mbi mënyrën sesi duhet parë një vepër arti dhe si të komentohet.”
Autorët e prezantuar sjellin stile e mjeshtëri të ndryshme si dhe frymën e shkollave të artit ku kanë studiuar që nga akademitë e Romës, Athinës, Pragës, Moskës, Parisit përveç shkollës shqiptare të artit. Mes veprave dallojnë portetet e Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Skenderbeut por edhe tematika e punës, peisazhi, natyra e qetë. Autorët si Odise Paskali, Muntaz Dhrami, Janaq Paço, Ksenofon Dilo,Dashamir Çuberi, Arstidh Loli, Kreshnik Xhiku, Lefter Çeko, Nestor Jonuzi, Hektor Dule, Arben Bajo, Edmond Gjikopulli dhe të tjerë sjellin një memorje të përjetimit ndër vite të historisë dhe zhvillimeve, forma konvencionale dhe karaktere unike.
Veprat pjesë e fondit të galerisë kombëtare po çelin ekspozita në galeritë më të njohura në Shqipëri deri sa Galeria Kombëtare të ketë përfunduar restaurimin dhe të rifillojë ekspozimin.
Top Channel