Çmimet po tregohen kokëfortë, ndërsa në nëntor sërish pësuan një rritje të lehtë.

Inflacioni, indeksi që mat çmimet e konsumit, shkoi në nivelin 3.9%, duke mos u ndikuar as nga rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë.

Inflacioni gjatë këtij viti ka qenë i udhëhequr dhe po rri mbi objektivin e BSH, për shkak të ushqimeve.

Ky grup u rrit me 2.9% gjatë nëntorit, ndërsa të tjerët që ndikuan janë qiratë, mobiliet, pajisjet shtëpiake, hotelet, kafenetë dhe restorantet si dhe pije alkoolike e duhani.

Nga nëngrupet, zarzavatet vijojnë të jenë me rritje dyshifrore, ndërsa frutat edhe produktet e bulmetit dhe vezët ndoqën pas për rritjen e fortë të çmimeve.

Ndërkohë tregu i mobilieve shtëpiake që nga 2022 ka pasur çmime mbi objektiv, një shenjë e rritjes së kostove të prodhimit dhe fuqisë punëtore. Një tjetër grup i prekur nga inflacioni gjatë këtyre dy viteve është dhe argëtimi dhe kultura për shkak të rritjes së numrit të turistëve. Ulja e çmimeve të naftës nga nivelet rekord prej 240 lekësh gjatë 2022-it ka ndihmuar më së shumti në zbutjen e inflacionit.

Nga kongresi i PS, ministria e Financave ka premtuar një paketë mbështetje për shtresat vulnerabël, ku përfshihen ata që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe grupe të tjera në nevojë, njësoj si bonusi i pensionistëve.

Top Channel