Blegtorët e luginës së 1000 luleve/ Tradita baritore trashëgohet prej brezash, por sot kërkon mbështetje

09/12/2023 19:43

Pëllumb Koko mbarështon rreth 1000 krerë të imëta në fushën e Çajupit një prej kullotave më të pasura në vend e njohur edhe si lugina e 1000 luleve.

Tradita baritore në familjen e tij është trashëguar në disa breza e fillon që prej fundit të shekullit të 19-të.
Shtegëtimi për të dhe familjen është një periudhë ceremoniale e lidhur me rite, përgatitje të shumta dhe dijeni të trashëguara ndër shekuj. Ai tregon se rajoni Jugor i Shqipërisë ende e ruan këtë trashëgimi dhe stil jetese me gjithë zbehjen që motorizimi e teknologjia po imponon edhe për blegtorët.Këtë vit ai po pret shenjat e borës së parë para se të fillojë shtegëtimin drejt luginës.

“Familja jonë është brezi i tretë që e trashëgojmë traditën e shtegtimit. Shtegtimi është gjë e bukur e trashëguar nga të parët tanë dhe ne po e ruajmë. Siç e patë edhe vetë ka një pjesë organizimi me këmborët, me zilet me organizimin e shtegtimit, nga dhe si do kalojmë, kontrollojmë motin se mund të kemi edhe reshje bore se jemi në dhjetor tani. Një pjesë e barinjve e bëjnë shtegtimin edhe me ditë të tëra, me karvane me kuaj e mushka se janë male të largëta, e fillojnë shtegtimin nga malet e Korçës dhe arrijnë në Sarandë apo nga Kurveleshi në Sarandë”, shprehet blegtori Pëllumb Koko.

Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale votoi përfshirjen e Transumancës në listën e trashëgimisë kulturore në UNESCO ku Shqipëria kishte aplikuar në të njëjtën dosje me Spanjën, Andorën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë. Statusi i mbrojtjes është motivuar me mënyrën autentike të jetesës së barinjve, këngët, ritet, instrumentet, këmborët e zilet, veshjet e kulinarinë e staneve. Pëllumbi shpreson që kjo të jetë një mundësi për ta njohur më mirë këtë traditë për ta mbështetur e pse jo për ta përdorur edhe në funksion të turizmit.

“Është një lajm i gëzuar futja e shtegtimit në UNESCO. U kënaqa shpirtërisht sepse është diçka e trashëguar ndër breza. Fakti që shtegtimi si trashëgimi u fut në UNESCO mund ti shërbejë edhe turizmit që ne e kemi aplikuar. Kemi pasur kërkesa nga kompani dhe njerëz që kanë ardhur e e kanë përjetuar vetë shtegtimin nga afër. Turistëve ju bën përshtypje sepse këto gjëra që ne i kemi natyralisht ata i kanë industri në vendet nga vijnë“, thotë Koko.

Por Pëllumbi mendon se sektori përballet me vështirësi të shumta që duhen dëgjuar dhe zgjidhur për të mos e tkurrur jetën baritore të maleve të Jugut.

“Duhet më shumë mbështetje nga institucionet shtetërore për barinjtë që mos kthehemi në specie në zhdukje. Ka një rënie të theksuar të blegtorisë. Ka vështirësi se sa mbaron vera fillon dimri e bashkë me të përgatitja për bazën ushqimore, stallat. Për tregun duhet të vërë dorë shteti sepse nuk ka të njëjtën vlerë qengji që vjen nga importi me atë që rritet natyralisht. E njëjta gjë vlen edhe për qumështin“, shprehet blegtori.

Qarku i Gjirokastrës, qarku më i madh blegtoral në vend ka të matrikulluar rreth 260 mijë krerë të imëta dhe 12 mijë gjedhë, përveç shtesës periodike vjetore por numri i krerëve ka pësuar vetëm rënie gjatë viteve të fundit. Blegtorët e kanë motivuar rënien me rritjen e çmimeve të të gjithë zinxhirit ekonomik që mbështet blegtorinë nga çmimi i ushqimit, trajtimeve, transportit.

Blegtorët e dy qarqeve kryesorë blegtoralë në vend ai i Gjirokastrës dhe Vlorës kanë llogaritur një humbje me gati 30% në të ardhurat vjetore që prej vitit 2018.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA