Politikëbërësit e Bashkimit Europian ranë dakord mbi një ligj të ri gjithëpërfshirës rregullues për inteligjencën artificiale, një nga përpjekjet e para të këtij lloji në botë për të kufizuar përdorimin e një teknologjie me zhvillim të shpejtë që ka implikime të gjera shoqërore dhe ekonomike.

Ligji, i quajtur akti i AI vendos një standard të ri global për vendet që kërkojnë të shfrytëzojnë përfitimet e mundshme të kësaj teknologjie, ndërsa përpiqen të mbrohen nga rreziqet e saj të mundshme, si automatizimi i vendeve të punës, përhapja e dezinformatave në internet dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare.

Ligji duhet të kalojë ende disa hapa përfundimtarë për miratim, por marrëveshja politike do të thotë se themelet e tij, tashmë janë hedhur. “Kjo është historike”, shkroi në platformën X Komisioneri Europian për tregun e brendshëm, Thierry Breton, i cili mori pjesë dhe vetë në debat.

“BE bëhet kontinenti i parë që vendos rregulla të qarta për përdorimin e AI. Akti i Inteligjencës Artificiale është më tepër sesa një shumatore rregullash, është një pikënisje për startup-et dhe studiuesit e BE-së për të udhëhequr garën globale të AI”, tha ai.

Marrëveshja u arrit në nivel politik mbrëmjen e djeshme pas bisedimeve që vijuan gjatë gjithë ditës dhe pasuan një maratonë të pasuksesshme mes të mërkurës dhe të enjtes pasdite. Në total, bisedimet zgjatën mbi 35 orë. Ndër të tjera, sipas saj, përdorimi i softuerit të njohjes së fytyrës nga policia dhe qeveritë do të kufizohet jashtë disa përjashtimeve të sigurisë kombëtare dhe kompanitë që shkelin rregullat mund të përballen me gjoba deri në 7% të shitjeve globale.

Top Channel