Ukraina: Fletarrestimi ndaj Putinit ka ndihmuar në kthimin e fëmijëve të dëbuar

08/12/2023 21:31

Komisionari i Ukrainës për të Drejta të Njeriut, Dmytro Lubinets, ka thënë të premten se dy fletarrestimet e lëshuara ndaj presidentit rus, Vladimir Putin dhe një zyrtareje tjetër ruse, për dëbim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi, ka ndihmuar në kthimin e disave në vendin e vet.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar fletarrestime në mars për arrestim të Putinit dhe zyrtares ruse Maria Lvova-Belova, për akuza për krime lufte, të lidhura me rrëmbim fëmijësh ukrainas.

Kremlini, në anën tjetër, i hedh poshtë këto pretendime.

Kievi ka thënë se e ka konfirmuar dëbimin e 19.546 fëmijëve dhe se kjo shifër mund të jetë më e lartë.

“Sipas mendimit tim, pas fletarrestimeve të lëshuara nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, është bërë më i lehtë kthimi i fëmijëve”, ka thënë Dmytro Lubinets, në një konferencë për media.

Të mërkurën, tetë fëmijë janë kthyer nga Rusia në Ukrainë, sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar prej Katarit.

“Nuk e di çfarë argumente pranon Federata Ruse, mirëpo fëmijët kanë nisur të kthehen. Jo në mënyrë sistematike, në grupe të vogla, megjithatë, kanë nisur të kthehen”, ka thënë ai.

Sipas tij, Ukraina ka arritur t’i kthejë 387 fëmijë prej Rusisë dhe prej territoreve të pushtuara prej Moskës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA