Nga ROLAND SPAHIU – Në emisionin “Ftesë në 5”, pak ditë më parë, disa të rinj përcollën qëndrime si; “Toksiciteti i jep shije një marrëdhënieje”, “Unë jam toksik, unë kontrolloj”, “Të jesh toksik është normale”, etj.
Kohët e fundit është ngritur një shqetësim i madh rreth normalizimit të kësaj “doze toksike” tek të rinjtë tanë dhe në mbarë botën.
Pse kjo sjellje toksike pranohet nga pjesa më e madhe e Gjeneratës Z?
Përgjigja kërkon shqyrtimin e faktorëve të ndryshëm, me theks të veçantë në rolin e rrjeteve sociale në formimin e qëndrimeve dhe sjelljeve.
Veprimtaria toksike shpërfaqet në formën e dëmtimit emocional, psikologjik ose social të të tjerëve. Duke filluar nga gjuha ofenduese online deri te konfliktet reale, toksiciteti ka një gamë të gjerë dhe duket mjaft i pranishëm. Disa argumentojnë se rritja e sjelljeve toksike tek të rinjtë lidhet me ndryshimet shoqërore dhe zhvillimet në normat.
Gjithashtu, platformat e rrjeteve sociale ndikojnë ndjeshëm në mënyrën e të menduarit tek të rinjtë e jo vetëm. Ndërsa ndërlidhin njerëzit në nivel global, ato shërbejnë edhe si fusha e mjedise për aktivitetin toksik. Përzgjedhja selektive e përmbajtjes në rrjetet sociale, ku shfaqen vetëm momentet më të mira, mund të krijojë presion për t’u përputhur me pritshmëritë shoqërore duke nxitur sjellje toksike si një mënyrë përballimi.
Për më tepër algoritmet e rrjeteve sociale krijojnë një “shoqëri të admirimit të përbashkët”, ku individët ekspozohen ndaj përmbajtjes që i konfirmon bindjet e tyre. Kërkesa për pëlqime, komente dhe afirmime mund të forcojë qëndrime toksike, duke përfshirë shpesh edhe sjellje ekstreme për të tërhequr vëmendjen.
Sikur kjo të mos mjaftonte, anonimati i ofruar nga platformat online mund të lejojë individët të angazhohen në sjellje toksike pa u përballur me pasojat e menjëhershme. Ky distancim mund të kontribuojë në një mjedis online toksik dhe në normalizimin e sjelljeve toksike tek të rinjtë.
Ndërkohë normat kulturore evoluojnë, dhe ato çka dikur ishin tabu tani mund të pranohen në disa rrethana. Kjo, së bashku me ndikimin e rrjeteve sociale, mund të ndihmojë në normalizimin e sjelljeve toksike tek të rinjtë.
Po çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri përballë sjelljes toksike të Gjeneratës Z?
Për të frenuar rritjen e toksicitetit, nevojitet një përqasje kolektive. Kjo përfshin promovimin e cilësive digjitale për të ndihmuar të rinjtë të analizojnë e vlerësojnë kritikisht përmbajtjen online, thellimin e empatisë dhe inteligjencës emocionale, si dhe nxitjen e dialogjeve të hapura për pasojat e sjelljeve toksike.
Në përfundim, prevalenca e toksicitetit tek të rinjtë, e ndërthurur me zhvillimet shoqërore dhe ndikimin e rrjeteve është një sfidë komplekse.
Përgjigja ndaj kësaj sfide kërkon bashkëpunim dhe përfshirje të gjerë, nga edukatorët, prindërit, mësuesit, profesionistët dhe industritë e teknologjisë, për të krijuar një mjedis online më pozitiv dhe gjithëpërfshirës për të rinjtë.
*Gazetar i programit “Ftesë në 5” në Top Channel
Top Channel