Hunter Biden nuk po gjen qetësi me drejtësinë amerikane.
Prokurorët federalë në SHBA ngritën kundër djalit të presidentit Joe Biden një aktakuzë për shmangie taksash. Aktpadia prej 9 pikash tregon se Hunter kishte planifikuar një shmangie nga tatimi prej të paktën 1.4 milion dollarë gjatë viteve 2016-2019.
“Në vend që të paguante taksat, ai shpenzoi miliona për një mënyrë jetese ekstravagante”, thuhet në deklaratën e prokurorit të posacëm David Weiss. 53 vjeçari u padit dhe në shtator se mashtroi për blerjen e një arme. Padia, e ngritur në Gjykatën e Delaware e ngarkonte Hunterin me tre akuza penale, që lidheshin me faktin se ai ishte përdorues substancash narkotike gjatë asaj kohe, gjë që, sipas ligjit, ia ndalonte armëmbajtjen.
Avokati i tij mbrojtës u shpreh se akuzat e reja për evazion fiskal janë të motivuara politikisht. Presidenti Joe Biden nuk përmendet në aktakuzë dhe Shtëpia e Bardhë ende nuk ka bërë asnjë koment. Kjo padi vjen në kohën kur republikanët e Kongresit vendosin marrëdhëniet e biznesit të Hunter Biden në qendër të një hetimi për shkarkimin e Presidentit Biden, i cili po kërkon rizgjedhjen vitin e ardhshëm. Nëse shpallet fajtor për çështjen tatimore, Hunter Biden mund të përballet me 17 vjet burg.
Top Channel