Ndërhyrja e rreth 20 nxënësve rezultoi në shpëtimin e jetës së një nëne dhe dy fëmijëve të saj 2 dhe 3 vjeç në SHBA, ku u bllokuan nën rrotat e një makine që i tërhoqi zvarrë jashtë një shkolle.
Bridget Ponson ishte së bashku me dy fëmijët e saj Archerin 2-vjeçar dhe Brightly 3-vjeçarin të martën pasdite jashtë shkollës ku ajo punonte, kur një shofer i goditi nga mbrapa. Shoferi tha se nuk mund të shikonte për shkak të diellit dhe i përplasi.
Siç shihet në videon e kamerave të sigurisë, një grup prej rreth 20 studentësh vrapuan në ndihmë të nënës dhe dy fëmijëve.
“Dëgjova zhurmë dhe dikë duke thënë “eja të ndihmosh” kështu që vrapova. U mblodhëm të gjithë dhe filluam të ngrinim makinën në duar”, u shpreh një nga studentët që ndihmoi në shpëtimin e nënës dhe fëmijëve.
“Pashë poshtë makinës dhe vura re një nga djemtë. Nëna e tij bërtiste “ndihmë, ndihmë”. Në fillim u trondita, por më pas mendova për nënën time dhe çfarë do të bënte dikush tjetër për ta ndihmuar atë”, tha një tjetër studente.
Kur fëmijët ngritën makinën, një personel i Forcave Ajrore të SHBA-së mori nënën dhe fëmijët. 3-vjeçarja arriti të zvarritet vetë ndërsa 15 sekonda më vonë piloti shpëtoi djalin 2-vjeçar që ishte ende në krahët e nënës së tij.
Dy fëmijët nuk u plagosën rëndë ndryshe nga nëna e tyre, e cila duhet t’i nënshtrohet disa operacioneve, pasi pësoi disa lëndime duke u përpjekur të mbronte djalin e saj që ishte në krahë.
Top Channel