Forcat izraelite sulmuan një kamp refugjatësh në Bregun e pushtuar Perëndimor të premten me synimin për të arrestuar militantë të dyshuar palestinezë dhe shkëmbyen zjarr me persona të armatosur.
Gjashtë palestinezë u vranë, thanë zyrtarët e shëndetësisë. Midis të vdekurve ishte një 14-vjeçar dhe një komandant lokal i Brigadës së Martirëve Al Aksa, një degë e armatosur e partisë nacionaliste Fatah, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë.
Mijëra vetë që brohorisnin mbushën rrugët për funeralin e tyre, duke i mbajtur trupat e tyre lart ndërsa militantë të maskuar hapën zjarr në ajër.
Forcat sekrete izraelite hynë fshehurazi në kampin Faraa pranë qytetit verior të Tubas të premten në mëngjes dhe vendosën snajpera mbi ndërtesa, thanë banorët. Ata thanë se ushtarët izraelitë shkëmbyen të shtëna me armë me militantë palestinezë dhe se djem të rinj po godisnin me gurë automjetet e blinduara dhe u vinin flakën gomave në rrugë.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese për koment mbi operacionin, i cili pason një rritje dramatike të sulmeve vdekjeprurëse ushtarake dhe kufizimeve ndaj banorëve palestinezë në të gjithë Bregun Perëndimor që kur filloi lufta mes Izraelit dhe Hamasit.
Sipas Kombeve të Bashkuara, dhuna kundër palestinezëve nga kolonët izraelitë në territor ka arritur gjithashtu nivele rekord. Ministria palestineze e Shëndetësisë thotë se forcat izraelite kanë vrarë 267 palestinezë në Bregun Perëndimor që pas sulmi të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, ku humbën jetën 1200 vetë dhe rreth 240 u morën peng.
Shumica e palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor, humbën jetën gjatë këmbimit të zjarrit që ushtria izraelite thotë se filloi gjatë operacioneve për arrestimin e personave të armatosur palestinezë.
Klubi për të Burgosurit Palestinezë, një grup për të drejtat e të ndaluarve palestinezë, njoftoi se forcat izraelite bastisën një numër qytetesh në të gjithë territorin e pushtuar herët të premten, duke arrestuar 32 persona, përfshirë dy në kampin Faraa.
Ushtria izraelite reagon për vdekjen e gazetarit të agjencisë Reuters
Po të premten, ushtria izraelite reagoi lidhur me një hetim për vdekjen e një gazetari të agjencisë Reuters në Libanin jugor më 13 tetor. Reuters thotë se ushtria tha në një deklaratë, pa përmendur emrin e gazetarit Issam Abdallah, se në momentin e incidentit forcat libaneze të Hezbollahut hapën zjarr nga ana tjetër e kufirit dhe forcat izraelite u kundërpërgjigjën për të mos lejuar hyrjen e Hezbollahut në Izrael.
Sipas agjencisë Reuters, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se ishin “në dijeni të pohimeve se ishin vrarë gazetarë ” në terrenin që ishte zonë aktive luftarake dhe se incidenti në shqyrtim.
Ndërkohë Izraeli sulmoi militantët e Hamasit në qytetet më të mëdha të Rripit të Gazës të enjten, duke shkaktuar vdekjen e 350 vetëve ndërsa mijëra civilë palestinezë po përpiqeshin të gjenin strehim për t’i shpëtuar shkatërrimeve të luftës.
Shumë banorë të zhvendosur të Gazës u grumbulluan në Rafah në kufirin jugor me Egjiptin, ku Izraeli u kishte thënë palestinezëve të shkonin duke u thënë se atje do të ishin të sigurt.
Por ministria e shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi njoftoi për të paktën 37 të vdekur në sulmet ajrore izraelite gjatë natës. Ushtria izraelite të enjten akuzoi militantët se kishin hedhur raketa nga pika pranë zonës humanitare. Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se nuk ka asnjë vend të sigurt në Gaza. Më shumë se 85% e popullsisë së territorit prej më shumë se 2 milion njerëz janë larguar nga shtëpitë ose strehimet, ndonjëherë më shumë se një herë./ voa
Top Channel