Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u shpreh se ka një “hendek” mes qëllimeve të Izraelit për të mbrojtur civilët dhe mënyrës se si po shpaloset lufta në Gaza.
“Mbetet e domosdoshme që Izraeli t1i kushtojë vëmendje mbrojtjes së civilëve”, u shpreh shefi i diplomacisë amerikane. Kjo ishte kritika më e fortë e ardhur deri tani nga Blinken ndaj shtetit hebre, që vazhdon të këmbëngulë nga ana e tij se po ndërmerr hapa për të minimizuar dëmtimin e civilëve. Situata në terren paraqitët më e zymtë nga dita në ditë.
Një zyrtar i OKB-së deklaroi se ofensiva ushtarake izraelite do të thotë se nuk ka mbetur më asnjë vend i sigurt për agjencitë e ndihmës në Gazën jugore. Dhjetëra mijëra palestinezë janë larguar në Rafah pranë kufirit me Egjiptin ndërsa luftimet intensive vazhdojnë në Khan Younis. Izraeli njoftoi se në ditët në vijim, do të hapë pikën kufitare Kerem Shalom për të lejuar kalimin e ndihmave në Gaza.
Në mesin e këtij përshkallëzimi të urrejtjes megjithatë, triumfon edhe arsyeja. Yael Noy është drejtuese e organizatës së bamirëse Road to Recovery, një grup vullnetarësh izraelitë të cilët dërgojnë palestinezët e sëmurë, sidomos fëmijët, nga pikat e kontrollit në Gaza dhe në Bregun e pushtuar Perëndimor drejt spitaleve në Izrael. Ajo it ha BBC-së se zhvillon çdo ditë betejën e saj.
“Unë po luftoj për të qenë e mirë”, shprehet Yael. “Po luftoj që të ruaj moralin kur të dyja palët po përjetojnë një dhimbje kaq të tmerrshme. Po luftoj të jem i njëjti person që isha përpara se të ndodhte e gjithë kjo”, thotë më tej.
1.000 vullnetarët e grupit e kanë pasur të pamundur së fundi të merrnin pacientë nga Gaza. Katër prej tyre janë vrarë nga militantët palestinezë që sulmuan komunitetin ku jetonin në jug të Izraelit.
Top Channel