Pas 6 muajsh hetime, SPAK ka bërë kërkesë për të kaluar në gjyq çështjen e ish-kryetarit të bashkisë Durrës, Vangjush Dako dhe 10 personave të tjerë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Do të jetë gjyqtari paraprak që do të vendosë nëse çështja duhet të vazhdohet të hetohet apo do të kalojë për gjykim.
Akuza ndaj Dakos dhe 10 personave të tjerë lidhet me dy episode, i pari lidhet me pallatin 11 katësh që sipas SPAK ndërtimi i tij ne vitin 2011 ishte tej çdo kriteri, kushti teknik dhe në paligjshmëri çka e ktheu ndërtesën të rrezikshme për tu banuar.
Për shkak të këtyre shkeljeve të kryera edhe nga të dyshuar të tjerë inxhinierë , kolaudues e administratori i firmës, pallati u dëmtua lehtësisht nga tërmeti. mes dhjetëra shkresave të sekuestruara, SPAK veçon tre dokumente të firmosura nga ish kryebashkiaku, në njërën prej të cilave urdhëronte pezullimin e punimeve në objektin në fjalë dhe në tjetrën miratohej zbardhja e lejes dhe diçka e tillë sipas SPAK provon dijeninë e ish zyrtarit lokal.
Edhe për episodin e dytë mbi projektin “Promenadë Bregdetare” SPAK thekson se hartua me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekë, për të cilat në fillim bashkia Durrës hapi proces ndaj firmës, por më pas juristi i caktuar nga ish kryebashkiaku u tërhoq nga gjykimi. Bashkia Durrës pavarësisht dëmit të konstatuar edhe nga KLSH kreu likuidimin financiar ndaj subjektit privat.
Kujtojmë se Ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një lejeje ndërtimi në vitin 2011 për një pallat, në lagjen numër pesë, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti tragjik i 2019-ës. Sipas dosjes hetimore, pallati kishte 4 kate pa leje dhe se legalizimi i objektit ishte kryer në shkelje të ligjit.
Ndërkohë, rasti i dytë kundër Vangjush Dakos ka të bëjë me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, llogaritet se i është shkaktuar buxhetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Nën akuzë bashkë me Vangjush Dakon, janë dhe nëntë persona të tjerë pjesa më e madhe e të cilëve ish-zyrtarë të bashkisë së qytetit bregdetar.
Top Channel