Qindra protestues bllokojnë fabrikat e armatimit në Britani që punojnë për Izraelin

07/12/2023 16:29

Qindra aktivistë e protestues pro-Palestinës kishin bllokuar sot katër fabrika armatimesh në Britani në një tjetër lëvizje kundër eksportimit të armëve drejt Izraelit.

Grupi i aktivistëve ‘Workers for a Free Palestine’ (Punonjësit për Palestinën e Lirë) u mblodhën para impjanteve në Bournemouth, Glasgow, Brighton e Lancashire, disa prej të cilave operohen nga kompania shtetërore britanike e armatimeve BAE Systems.

Kantieri detar i saj në Glasgow të Skocisë u mbush mëngjesin e sotëm me protestues që kërkonin ndalimin e dërgimti të armëve që përdoren kundër njerëzve në territoret e pushtuara palestineze.

Demonstruesit nxisnin grupin BAE dhe kompani të tjera të ndërprisnin lidhjet e tyre me Izraelin dhe ndalimin e dërgimit të armatimeve apo furnizimeve të mbrojtjes.

Ata i bënin thirrje qeverisë së Londrës të shtynte per armëpushimin e përhershëm në Gaza dhe të kërkonte fundin e pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli.

Protesta më e madhe duket se ishte në impiantin ‘Eaton Mission Systems’ pranë Bournemouth në jug të vendit, ku kishte rreth 600 protestues.

Aktivistët mbanin pankarta me mbishkrimet ‘Ndal armatosjes së Izraelit nga Britania’ apo ‘Armët e prodhuara këtu vrasin në Gaza’.

Të tjerë akuzonin shtetin izraelit për ‘genocid’ dhe thërrisnin ‘Turp!’ e ‘do të nderojmë martirët’.

Jenny, zëdhënëse e grupit organizator, e cila nuk dha mbiemrin e saj, tha për Daily Mail: “Avionët që prodhohen në këto fabrika përdoren për të futur në grackën e vdekjes popullin e Gazës”.

“Ata urdhërohen të evakuohen kur nuk kanë asnjë vend të sigurtë ku të shkojnë, ndërsa qeveria jonë britanike refuzon të mbështesë një armëpushim”.

“Punonjësit në të gjithë vendin po ngrihen për Palestinën, duke thënë se nuk do të lejojmë që armët e përdorura në një gjenocid të shkruhen në emrin tonë dhe me taksat tona”.

“Shumë njerëz po refuzojnë të punojnë për të prodhuar armë për Izraelin në Britani dhe punonjësit kanë nisur veprimin dhe në Evropë”.

Protestuesit thonë se grupi BAE systems prodhon pjesë armatimesh për ushtrinë e Izraelit, siç janë avionët gjuajtës F35 dhe mitralozët Mk 38 Mod 2.

Scott, një punonjës i ri 26 vjeçar, i cili nuk dha mbiemrin e tij tha: “Nuk jemi këtu për të dënuar punonjësit e BAE. Është kompania që vendos kujt t’ia shesë ato dhe ata duhet të bëhen përgjegjës për vrasjet”.

Një zëdhënës i BAE Systems tha: “Jemi të tmerruar nga situata në Izrael e në Gaza dhe pasojat mbi civilët, shpresojmë të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur”

Protesta të ngjashme janë mbajtur sot dhe në vende evropiane si Francë e Danimarkë.

FOTO GALERI
1/9
Qindra aktivistë e protestues pro-Palestinës kishin bllokuar sot katër fabrika armatimesh në Britani në një tjetër lëvizje kundër eksportimit të armëve drejt Izraelit.

Top Channel