Një vajzë 14-vjeçare qëlloi për vdekje një nxënës dhe plagosi pesë fëmijë të tjerë ditën e sotme.
Më pas ajo vrau veten në një shkollë në qytetin rus të Bryansk.
“Sipas të dhënave paraprake të hetimit, një vajzë 14-vjeçare shkoi në shkollë me një armë gjahu dhe hapi zjarr ndaj shokëve të klasës”, tha në një deklaratë Komiteti Hetues i Rusisë.
Hetuesit po punonin për të përcaktuar motivin, thuhet në deklaratë.
Guvernatori i rajonit Alexander Bogomaz e quajti atë një “tragjedi të tmerrshme”. Ai tha se pesë personat e plagosur ishin të gjithë fëmijë me lëndime të lehta ose mesatare.
Gazeta Mash publikoi një fotografi të 14-vjeçares së vdekur e cila ndodhej shtrirë në dysheme dhe e veshur e gjitha me të zeza. Thuhet se ajo ishte gjithashtu e armatosur me një thikë gjuetie, të cilën e kishte vendosur në çizmen e saj të djathtë.
Armët zakonisht kontrollohen fort në Rusi, por Bryansk është një nga disa rajone jugore që kanë parë sulme ndërkufitare gjatë luftës me Ukrainën, dhe ku Moska ka inkurajuar formimin e njësive të vetëmbrojtjes.
Top Channel