Gjermani, sistemi arsimor në prag kolapsi! Shumë nxënës, pak mësues

07/12/2023 11:44

Në shkollat gjermane u regjistruan këtë vit më shumë nxënës sesa në 20 vjet.

Ekspertët japin alarmin se sistemi arsimor gjendet përpara kolapsit, pasi këtij fluksi nxënësish nuk i korrespondon një numër i përshtatshëm mësuesish. Ankesat për mungesë të vazhdueshme stafi sa vjen e shtohen. Nuk ka më mësues zëvendësues të përkohshëm në tregun e punës, e po kështu me vështirësi gjendet staf për pozicionet e hapura, ndërsa për shkak të mbingarkesës, mjaft mësues marrin pushim mjekësor për javë të tëra, e ndonjëherë edhe muaj.

Për rrjedhojë, disa lëndë eliminohen përkohësisht e një pjesë e shkollave kanë vendosur një javë katërditore për nxënësit. Dhjetëra mijëra mësues mungojnë në të gjithë vendin, por numri i saktë nuk dihet thotë DW. Në Gjermaninë federale, arsimi është përgjegjësi e 16 landeve. Mes tyre ka dhe disa dallime, duke përfshirë edhe angazhimin e mësuesve, që i bën të vështira edhe llogaritjet e kapaciteteve.

Konferenca e Ministrave të Arsimit dhe Çështjeve Kulturore, organi në të cilin ministrat e arsimit koordinojnë çështjet relevante kombëtare, aktualisht supozon se ka rreth 14.000 vende të paplotësuara të mësuesve me orar të plotë. Nga viti 2025 e më pas, supozohet do të ketë nevojë shtesë për 21.000 mësues. Mendohet se këto kapacitete do të jenë të nevojshme deri në vitin 2035.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, 830.600 nxënës të klasës së parë u regjistruan në shkollë në vitin 2023, që është numër rekord në dy dekadat e fundit. Në dhjetë vitet e ardhshme, numri i fëmijëve dhe të rinjve që ndjekin shkollën pritet të rritet nga njëmbëdhjetë në dymbëdhjetë milionë.

Top Channel