Buxheti miratohet mes tymit e kapsollave në 8 minuta/ Opozita: Juntë, nuk bëhemi palaço të Ramës! PS: S’u marrim me zor!

07/12/2023 10:45

Vetëm 8 minuta ka zgjatur seanca për Buxhetin e vitit 2024, pasi deputetët e opozitës vijuan mosbindjen civile duke sabotuar punën e parlamentit përmes hedhjes së tymueseve, flakadanëve, ndërsa nuk munguan as kapsollat.

Në një prononcim për mediet  në përfundim të seancës plenare, deputeti Evin Salianji ka deklaruar nga oborri i Parlamentit se buxheti u miratua në mënyrë tinzare.

“Edi Rama në mënyrë të përsëritur i ka vendosur flakën, e ka djegur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe po funksionojmë në kushtet e një junte ku forca fizike e garditësve, e drejtuesve të Policisë, e krimit në zgjedhje bëjnë të mundur mbajtjen në këmbë të kësaj ngrehine që duket qartësisht se nuk po bashkëjeton në mënyrë demokratike, sipas Kushtetutës dhe ligjit.

E patë sot që në mënyrë tinëzare dhe me vrap, PS e votoi buxhetin që për herë të parë po godet shtresën e mesme. Godet shtresën më të rëndësishme për qytetarët në një demokraci. Për herë të parë do të taksohen në 21% profesionet e lira; mjekët, ju gazetarët, stomatologët, mësuesit. Shtresa e mesme që po mban në këmbë këtë vend. E patë dhe sot që kishte amendime nga deputetë të PD dhe u hodhën poshtë… Ne nuk mund të bëhemi palaço të Edi Ramës. Kushdo që merr përsipër të bëhet palaço për ndonjë arsye tjetër, që mund të jenë arsye financiare apo të ndonjë përfitimi të drejtpërdrejtë, është i denjë për ta bërë. Për të gjithë ata që thonë broçkulla të tipit “po të ishit ju, çfarë do të ndodhte”, ja ku kishte mendime dhe i hodhën për dy sekonda se nuk pyet për Kushtetutë sepse nuk ka kontroll dhe balancë. Ne nuk po bëjmë betejë përveçse për mijëra njerëz që kanë miratuar këtë Kushtetutës. Nuk po lëmë që vendi të shkojë në një regjim të plotë”- tha Salianji.

I pyetur për Komisionet Hetimore, deputeti i opozitës u përgjigj se “vetëm ky institucion ka mbetur pa u kapur. Është kapur opozita në të shkuarërn, vetëm ky institucion ka mbetur i pakapur. Komisionet Hetimore në parlament. Ka mbetur vetëm vullneti i njeriut. Ne do të vazhdojmë këtë betejë që është betejë për kushtetutë dhe qytetarët.”

Sipas Salianjit, beteja e deputetëve të opozitës “nuk është një betejë force por është një betejë për të drejtën. Kur ke të drejtën dhe argumentin, nuk ke pse të përleshesh.”

Po ashtu, një tjetër deputete demokrate ka reaguar ashpër pas hedhjes poshtë të amendamentit të saj për gratë që vuajnë nga kanceri i gjirit. Në një prononcim për mediet, Zheni Gjergji tha se kolegët e mazhorancës përdorën forcën e kartonave kundër 3 mijë grave që vuajnë nga sëmundja e rëndë e kancerit të gjirit.

“Mazhoranca miratoi buxhetin dhe u dha koncesioneve të shëndetësisë 50 milionë euro dhe hodhi poshtë amenadamentin tim në të cilin kërkova vetëm 6 milionë euro për 3 mijë gra që vuajnë nga kanceri i gjirit. Një paruke dhe një rikostruksion i gjirit kërkon vetëm 6 milionë euro. 3 mijë gra do të enden rrugëve. Është një kërkesë që sot u çua në mënyrë ligjore në parlament, por mazhoranca me 74 vota kundër e hodhi poshtë. Kjo është qeveria Rama. Mazhoranca miraton me forcën e kartonit fondet miliona euro për koncesionet. Mohimi i koncesioneve hetimore në shëndetësi, vazhdon të jetë mohimi i të drejtës së qytetarëve shqiptarë për të kërkuar llogari qeverisë Rama. Ndaj mos prisni asgjë. Do të vazhdojmë të jemi ende në varfëri të plotë”- tha kryetarja e komisionit të shëndetësisë, Zheni Gjergji.

Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Blendi Çuçi ka paralajmëruar ndryshimin e rregullores së parlamentit. Për mediet në përfundim të seancës, Çuçi tha se buxheti për vitin 2024 “nuk është miratuar nga mazhoranca në 8 minuta, por pas një diskutimi shumë të gjatë.”

Insistimit të gazetarëve se e kanë bërë diskutimin me veten, Çuçi iu përgjigj duke thënë se diskutimi janë kryer në mbledhje të hapura të Komisioneve dhe diskutime me shoqërinë civile. Sa i përket opozitës, socialisti e pranoi se me sjelljen e saj ajo ka krijuar një anomali në mbarëvajtjen e jetës parlamentare, megjithatë shtoi se “Nuk i marrim dot me zor”.

“Nuk i marrim dot me zor. Mbledhjet kanë qenë të hapura, diskutimet në komisione me grupet e interesit. Buxheti nuk është miratuar pa diskutime sepse puna më e madhe bëhet në komisione dhe ju e dini shumë mirë. Aty debatohet, aty diskutohet, aty hidhen aleternativat dhe seancat plenare bëhen për t’u miratuar. Pa diskutim që ka një anomali të sjellë nga opozita”- tha Çuçi, duke shtuar se opozitës më tepër i intereson të bëjë zhurmë sesa të ofrojë zgjidhje.

I pyetur rreth kërkesës së opozitës për Komisionet Hetimore, Çuçi tha se “Komisionet hetimore janë e drejtë legjitime e opozitës, nuk e kemi mohuar në asnjë rast. Komisionet hetimore që ka sjellë opozita nuk janë miratuar në asnjë rast për shkak të objektit. Nuk është detyra jonë të negociojmë për objektin, ai duhet të vijë sipas detyrimeve kushtetuese. Pse ata nuk e sjellin brenda detyrimeve kushtetuese?!”

Top Channel