Juventusi do të presë Napolin mbrëmjen e të premtes, në ndeshjen hapëse të javës së 15 të kampionatit italian, teksa në konferencën e zakonshme për shtyp, trajneri Allegri ka deklaruar se ky takim nuk ka asnjë lidhje me atë të humbur 5-1 sezonin e kaluar në “Maradona”.
Tekniku bardhezi pranoi se do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj napolitanëve të Mazzarrit dhe njoftoi se përveç Weah, të gjithë futbollistët janë rikuperuar dhe do të jenë gati për të luajtur nga fillimi.
“Nga sezoni i kaluar Napolit i mungon vetëm Kim, megjithatë ajo ndeshje 5-1 nuk do të përsëritet më. Çdo përballje ka specifikat e veta. E dimë që do të jetë e vështirë dhe jemi përgatitur për ta përballuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë lojtarët, përveç Weah, janë rikuperuar dhe janë gati të luajnë nga fillimi”, u shpreh Allegri.
Tekniku i Juventusit zbuloi edhe objektivin e bardhezinjve deri në fund të fazës së parë, duke theksuar se titulli kampion i dimrit nuk e josh aspak.
“Objektivi ynë është të bëjmë më shumë pikë se një sezon më parë. Vitin e kaluar e mbyllëm fazën e parë me 38 pikë, ndërsa tani kemi marrë 33. Kemi edhe 5 ndeshje, dy prej të cilave ndaj Napolit dhe Romës në shtëpi, por edhe tre transferta të vështira. Duhet të kalojmë shifrën 38 pikë për të thënë që jemi përmirësuar krahasuar me një vit më parë”, theksoi trajneri i Juventusit./ Super Sport
Top Channel