Sot janë shpallur 92 punonjësit e parë të Policisë së Shtetit, të cilët përmbushin kriteret për të përfituar kredi me zero interes për blerjen e banesës.
Sipas Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Ekonomisë, programi qeveritar parashikon që deri në vitin 2025, të jenë të paktën 900 familje përfituese të punonjësve të policisë në nevojë për strehim.
“Janë kualifikuar 92 punonjës policie, përkatësisht 16 punonjëse gra e vajza dhe 76 punonjës burra e djem. Veç faktit që jeni të gjithë të rinj, 78 punonjës janë të rolit bazë dhe 14 të tjerët me grada Nënkomisar deri një prej tyre, Komisar. Përfituesit janë të shpërndarë në gjitha drejtoritë”.-tha ministri Balla.
Po ashtu, për përmirësimin përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të policisë nga viti i ardhshëm, do të aplikohen edhe bonuset për ushqimin.
“Ashtu siç është bërë me dije dhe më herët, në korrik të vitit 2024 do të kemi dhe rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e policisë. Nga ana tjetër është në proces miratimi Bonusi ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit, që do të thotë trajtimi i tyre, nga fillimi i vitit të ardhshëm përmes një pakete të posaçme ushqimore,” – u shpreh Balla.
Ministri i Ekonomisë, Ervin Mete tha se qeveria do të vijojë mbështetjen për punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për administratën publike në tërësi, siç është ajo që lidhet me rritjen e pagave.
“Reforma e rritjes së pagave, e nisur gjatë këtij viti, do të vijojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Duke nisur nga mesi i vitit 2024 do të ketë një rritje domethënëse të pagave për punonjësit e Policisë së Shtetit, si edhe për një sërë kategorish të tjera, për mjekët, infermierët, ushtarakët, si dhe për punonjës të tjerë të administratës publike. Përmes rritjes së programuar për vitin e ardhshëm, niveli i pagës mesatare do të arrijë 900 euro, në mbështetje të punësimit cilësor dhe rritjes së konkurrueshmërisë me vendet e rajonit”, tha Ministri.
Mes punonjësve që plotësuan kriteret për të përfituar kredi për banesë është edhe Inspektori Redin Caushaj, punonjësi i policisë që u plagos me thikë. Edhe pse nuk ishte në detyrë ai ndërhyri për të shuar një konflikt fizik mes dy personave në fshatin Pilur të Himarës, në gusht të këtij viti.
Top Channel