Nga KLEIDA MUKA – “Dajë, na ka marrë babi dhe harruam mamin në veturë”- Askush nuk iu thotë dot fëmijëve Liridona Murselit se kush “e harroi” nënën në makinë kur “grabitësi” u drejtoi armën dhe babai vrapoi me nxitim pa e kthyer kokën pas.

Të gjithë luten për një vdekje të lumtur, por si mund të ishte për Liridonën, kur në çastet e fundit kuptoi se vdekja i erdhi nga personi për të cilin thoshte se ishte gjithçka, personin të cilin e kishte bërë dy herë baba.

Me një skenar të dobët, të kopjuar ndoshta nga greku Babis Anagnostopoulos, kur ai vrau bashkëshorten në sy të fëmijës, apo skenar i parë ndoshta në ndonjë film kuturu me metrazh të shkurtër, të menduar një natë më parë, apo tri netë më parë teksa festonte me Rita Orën, na ka vënë të gjithëve para disa pikëpyetjesh të mëdha.
Pikëpyetje që mbase nuk do t’i zgjidhim kurrë.

Liridona u vra atë natë të ftohtë nga Naimi, u vra kur Naimi e qau të nesërmen dhe vinte dorën në zemër, priste njerëzit për ngushëllime madje u fërkonte shpatullat familjarëve, u vra kur mbi varr i vunë mbiemrin Murseli, e do të vritet sërish e sërish, derisa në dritë të dalë e vërteta.

Arsyen e mos arsyes i mbetet prokurorisë për ta zbuluar, megjithëse vetëm Liridona e di, sigurisht dhe Naimi, por askush nuk pret që nga goja e një babai dhe bashkëshorti të dalë një arsye për vrasjen e nënës së fëmijëve të tij.

Çfarë dinte Liridona? A e shtyu dikush Naimin të ndërmerrte atë akt, që për nga skenari amatoresk dukej nxitimthi?

Mbase dikush e ka shtyrë që vrasja të ndodhte pikërisht atë natë, në një moment tjetër mbase do i kishte hequr fëmijët të cilët i postonte aq shpesh në Facebook si krenaria e tij më e madhe. Shpesh, postonte foto me një imazh të kuruar, i kollarisur, i buzëqeshur dhe i lumtur edhe në krah të bashkëshortes.

Në mundimin për të gjetur arsyen e mos arsyes në gjithë këtë ngjarje, pista e dytë është se ndoshta Liridona dinte një sekret, një sekret të madh të bashkëshortit që vetëm ajo ia mbante çelësin në qafë.

Mbase po ta dinte edhe dikush tjetër, jeta e saj do të kishte më shumë vlerë se sekreti i madh.
Si mundet një grabitës të vrasë më të dobëtin kur nuk ndjen kurrfarë rreziku?

Mos ndoshta ajo çfarë dinte vetëm Liridona mund t’i prishte imazhin.
Personi në fjalë dukej qartë që donte të ishte në qendër të vëmendjes, lartësonte çdo reagim, çdo dalje publike sa herë shkonte nëpër takime të nivelit të lartë me avion privat, e publikonte në rrjetet sociale me mbishkrime të nivelit të një ambasadori.

Librat e psikologjisë na mësojnë se nëse dikush e kërcënon për prishje imazhi, një narcist mund të reagojë në mënyra ekstreme, si në rastin konkret.

Mos vallë Liridona kishte dijeni për ndonjë aferë korruptive që mund t’i kushtonte lirinë apo jetën Naimit. Edhe në këtë rast një narcist do të kishte zgjedhur veten para gjithçkaje.

Po i rikthehem sërish rastit të Babis-it në Greqisë. Ai shpjegonte në një letër se nëse nuk do e kishte vrarë Karolinën që e dinte se ai transportonte drogë me helikopter, atëherë viktima do ishte Babis.
Më vonë gazetarët grekë zbuluan edhe lidhjen e tij jashtëmartesore me të njëjtën gjini, por sot ka ende pikëpyetje për këtë pistë.

Naimi, si këshilltar që nuk ka lënë vend pa vizituar, medium pa dhënë intervistë e personazh pa takuar me jetën luksoze të reklamuar në rrjetet sociale, mbase diçka fsheh. Sërish i mbetet prokurorisë të hetojë dhe të zbulojë arsyen e mos arsyes.

Sa trishtim Liridona! Ne nuk e dimë sekretin e madh që more me vete në botën e përtejme, ndërkohë që ne të botës këtej përpiqemi të gjejmë një arsye në mos arsyen më të madhe të njerëzimit; një bashkëshort dhe baba që vret nënën e fëmijëve të tij.

*Gazetare Web Top Channel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA