Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian konsultohen të martën në lidhje me pasojat e luftës në Lindjen e Mesme për gjendjen e sigurisë në Europë.
Komisionerja e BE për çështjet e Brendshme, Ylva Johannson ka paralajmëruar për rrezikun e atentateve në Europë në periudhën e festave.
“Ka një rrezik të lartë të atentateve terroriste”, tha ajo në Bruksel në kuadër të takimit të ministrave të Brendshëm.
Johansson e arsyetoi këtë rrezik me “polarizimin” e madh që ka shkaktuar lufta mes Izraelit dhe organizatës terroriste të Hamasit. Ajo bëri të ditur 30 milionë euro shtesë për mbrojtjen e vendeve të caktuara si kishat, sinagogat dhe xhamitë, sipas DW.
Ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser dhe Autoriteti i Mbrojtjes Kushtetuese paralajmërojnë nga rreziku i atentateve. Vetëm në fundjavën e kaluar një islamist vrau një turist gjermano-filipinas në Paris. Atentatori e arsyetoi këtë me dhunën kundër palestinezëve në Rripin e Gazës.
Para marrëveshjes për migracionin
Ndër të tjera ministrat e Brendshëm të BE zhvillojnë konsultime edhe për temën e migracionit dhe politikën e përbashkët të azilit. Të mërkurën ndërmjetësuesit e vendeve anëtare dhe të Parlamentit Europian duan të arrijnë një marrëveshje në çështjen e azilit, një nga grindjet më të ashpra në BE prej vitesh. Ndër të tjera planifikohen procedura të përshpejtuara azili në kufijtë e jashtëm të BE. Qeveria gjermane ka kërkuar përjashtimin e grave dhe fëmijëve nga kjo procedurë, por nuk ka pasur sukses me këtë procedurë deri tani.
Ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Faeser është shprehur me tone optimiste për reformën e azilit në BE. “Jam shumë besimplotë se kjo do të arrihet. Si Këshilli i BE dhe Parlamenti Europian janë duke u afruar me njëri-tjetrin. Unë vetë kam punuar shumë, si e dini, prej dy vitesh për këtë”, tha Faeser të martën. Do të bëjmë gjithçka që të arrihet kompromisi. Aktualisht si Këshilli Ministror i BE, Parlamenti Europian dhe Komisioni Europian janë në negociata finale për reformën e azilit.
“Dua të theksoj, se sa e rëndësishme është kjo. Mbrojtja e e efektshme të kufijve të jashtëm të BE mund të arrihet vetëm me një sistem të përbashkët europian azili”, ka theksuar Faeser.
Edhe ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, që drejton negociatat nga ana e vendeve anëtare është shprehur “me një lloj optimizmi” se pritet të arrihet një marrëveshje të mërkurën. Parlamenti Europian kërkon me shumicë reformë më të butë të sistemit të azilit, duke theksuar standardet humanitare.
Top Channel