Një 26-vjeçar është vënë në pranga, pasi në banesën ku jetonte iu gjetën sende që përdoreshin nga grupe kriminale për vepra të ndryshme në Shkodër dhe sasi të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit policor “Imazhi fals”, është ndërhyrë në banesën e 26-vjeçarit Ragip Gila, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë anti-plumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Po vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Një ditë më herët një 40-vjeçar është arrestuar në Fushë Kuqe, pasi e kishte kthyer banesën e tij në bazë furnizimi për grupet kriminale.

Gjatë kontrolleve në brendësi dhe përreth banesës së vjetër në pronësi të Aleks Lulashit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Mazda” i dëmtuar; 5 motomjete me fuqi të lartë motorike të dyshuara të vjedhura;  4 palë targa, për automjete dhe motomjete, të cilat dyshohet se janë vjedhur në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në Kosovë; 400 gramë lëndë e dyshuar eksplozive, me fitil zjarrpërcjellës e gatshme për shpërthim: kapuça si maska, doreza dhe skafandra motomjetesh, veshje për kamuflazh, si dhe një sërë sendesh të tjera që do t’i shërbenin grupeve kriminale gjatë kryerjes së ngjarjeve të rënda kriminale.

Sipas policisë, mbi 40-vjeçarin rëndojnë veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, “Trafikim i mjeteve motorike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.

Fushë Kuqja është kthyer në bazë të disa grupeve kriminale në vend, ndërsa kujtojmë se në gusht të këtij viti policia goditi një grup kriminal që trafikonte kokainë dhe heroinë nëpërmjet detit. Gjatë këtij operacioni gjashtë persona ranë në pranga, ndërsa u bllokuan katër gomone.

Ndërsa në dhjetor të 2022-shit gjatë kontrolleve të befasishme në banesën e Ervis Martinajt dhe të familjarëve të tij në Fushë Kuqe nga FNSH-ja dhe RENEA, u gjetën të fshehura në kosheren e bletëve armë, uniforma policie, radio policie dhe predha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA