Mes kritikave, presidenti i El Salvadorit feston rritjen e vlerës së rezervave në Bitcoin që ka blerë me paratë publike

06/12/2023 22:32

Presidenti i El Salvadorit ka nisur festën, pasi rezervat në Bitcoin, që ka blerë me paratë publike janë kthyer në fitime, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të Bitcoin.

Që nga viti 2021, Nayib Bukele ka shpenzuar më shumë se 120 milionë dollarë nga paratë e vendit të tij të varfër, duke blerë Bitcoin.

“Tërhiqini fjalët dhe kërkoni falje”, iu drejtua ai kritikëve, përmes një postimi në platformën “X”. Investimet e El Savadorit në Bitcoin po sjellin fitime, tha ai.

Postimet e Bukeles janë pritur me eufori nga qytetarët, që i kanë besuar potencialit të monedhave digjitale, për të cilat presidenti është shprehur vazhdimisht.

Bukele dha dorëheqjen nga posti i presidentit këtë javë, për të bërë fushatë për një mandat të dytë që pritet të fitojë, pasi popullariteti i tij në vendin e Amerikës Qendrore mbetet i lartë.

Sipas një faqeje në internet që gjurmon portofolin e Bukele në Bitcoin , 2764 monedhat që ai bleu u bënë më të vlefshme se sa pagoi për to gjatë të martës. Nëse do t’i shiste sot, do të fitonte 3.7 milionë dollarë.

Në artikullin e saj, BBC thekson se nuk ka mundur të gjejë kontakte me këtë faqe në internet.

Megjithatë, është shumë herët për të festuar, thonë ekspertët, që shpjegojnë riskun e lartë në Bitcoin.

Ekonomistë nga El Salvador dhe jo vetëm, thonë se momenti nuk është aq i rëndësishëm sa do të donte Bukele.

120 milionë dollarët që qeveria e tij ka shpenzuar për blerjen e monedhave janë vetëm një pjesë e fondeve publike të përdorura për të promovuar Bitcoin te shtetasit e vet, që kur vendi u bë i pari që e bëri mjet ligjor krahas dollarit amerikan, parasë kryesore të vendit.

“Qeveria shpenzoi shumë para për zhvillimin e aplikacionit Chivo Ëallet, për instalimin e ATM-ve, të cilët kryesisht nuk funksionojnë, për një bonus prej 30 dollarësh për të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, për propagandë dhe aktivitete ndërkombëtare”, tha Oscar Picardo, drejtor i Institutit të Shkencave në Universitetin Francisco Gavidia, në San Salvador.

Kur mblidhen të gjitha shpenzimet, rezultati nuk mund të jetë pozitiv, shpjegoi ai.

Ekonomistja e pavarur Salvadoriane Tatiana Marroquin thotë se “toni fitimtar i Bukeles për rritjen e çmimit të Bitcoin, është iluzion”.

“Nuk kompenson kostot ekonomike të projektit Bitcoin. Rreth 200 milionë dollarë para publike janë shpenzuar në përpjekje për të bindur qytetarët të përqafojnë monedhën digjitale”, u shpreh Marroquin.

Tjetër problem, është mungesa e transparencës. “Asnjë organ publik nuk gjurmon shpenzimet për Bitcoin ose statusin e rezervave prej 100 milionë dollarësh të Bukeles. Nuk ka asnjë informacion zyrtar përveç Tëeet-eve të Presidentit”, tha eksperti Frank Muci.

Në qershor, një dokumentar i BBC, zbuloi se shumica e popullsisë e përdorte monedhën digjitale më pak se Bukele, pavarësisht investimeve të mëdha.

Vetë Bukele pranoi se çmimi i Bitcoin do të vazhdojë të luhatet, por ai nuk ka plane të shesë rezervën.

Top Channel