Shiriti i kapitenit i ka dhënë një tjetër shtysë Lautaro Martinez, për të shënuar sa më shumë gola dhe për të fituar me Interin. Sulmuesi argjentinas dëshiron të rikthehet sërish në finalen e Champions League si sezonin e kaluar.
Ndërkohë që synon të fitojë një tjetër titull kampion me Interin, që do të sillte yllin e dytë në fanellë. Skuadra e Simone Inzaghit po funksionon për mrekulli, ndërkohë që Lautaro kryeson renditjen e golashënuesve të Serie A me 13 gola.
26-vjeçari ka realizuar edhe dy gola në Champions League. Në lidhje me liderin e kryesuesve të kampionatit italian, Alessandro Altobelli, ish-sulmuesi i njohur i Interit dhe kombëtares italiane, thekson se argjentinasi mund të fitojë Topin e Artë nëse vazhdon me këtë ritëm.
“Lautaro më pëlqen shumë. Ai shënon gola, lufton pafund, sakrifikon dhe bën një punë të madhe për skuadrën. Ai kurrë nuk bën ndonjë gjë të parëndësishme dhe nuk merr asnjëherë një vendim të gabuar.
Si ai i rinovimit: një demonstrim i bukur i lidhjes me fanellën dhe një shembull i bukur për ata që mendojnë vetëm për paratë. Mesazhi i tij është i fortë: Interi vjen përpara gjithçkaje.
Ai është edhe më i përgjegjshëm me shiritin e kapitenit mbi krah. Sigurisht që e meriton, argjentinasi është një shembull për shokët e skuadrës. Është gjithmonë i gatshëm për të gjithë, nuk e tërheq kurrë këmbën pas.
Nuk harrohen lotët që derdhi pas humbjes së titullit kampion disa vite më parë. Do të ishte bukur po ta mbyllte karrierën tek Interi. Me një trofe tjetër ndërkombëtar, ai mund të fitojë Topin e Artë”, u shpreh kampioni i botës me Italinë në 1982./ Super Sport
Top Channel