Strukturimi i një force politike opozitare në fillimet e pluralizmit nuk ishte i lehtë, sepse PPSH ishte ende aktive bashkë me sigurimin e shtetit dhe nuk ngurronin të vazhdonin përdorimin e metodave staliniste.

Ndryshimet në kampin e trashëgimtarëve të PPSH-së po vononin, edhe pse partia e tyre u shndërrua brenda një nate në Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Gjithsesi, demokratizimi i Shqipërisë pritej të fillonte nga Partia Demokratike, që gjithashtu përbëhej nga një grup intelektualësh me mentalitet komunist. Megjithatë, Afrim Krasniqi thotë se e shkuara e diktaturës komuniste do të ishte prezente, për shkak të edukimit që kishte secili pjesëtar i elitës.

“Formimi i liderëve të sotëm në Shqipëri është komunist, shumica e tyre janë formuar dhe janë produkt i revolucionit kinez komunist, shpallja luftë kundër mendimit ndryshe e deri edhe kundër Zotit. Është e pamundur, është utopi që të presim nga kjo klasë politike demokraci”.

Janë disa ngjarje që për shumë prej protagonistëve, ndryshuan rrjedhën e historisë së Partisë Demokratike dhe diktuan ritmin e rrugës së shqiptarëve drejt demokracisë. Besnik Mustafaj beson se nuk mund të kishte ndodhur ndryshe, referuar edhe metastazave të së shkuarës që e shoqëronte elitën e re, por dhe shoqërinë shqiptare në tërësi.

“Në atë kohë ishim një shoqëri e çliruar dhe jo një shoqëri e lirë në një shoqëri të çliruar, metastazat e së kaluarës ekzistojnë por në një shoqëri të lirë nuk ekzistojnë sepse atje e kaluara ka të njëjtat vlera morale e politike si dhe e sotmja. Në mesataren e shoqërisë, opinioni publik, mënyra se si e kërkon liderin të fortë, vendimmarrës e kërkon të dallohet nga të tjerët. Ato janë edhe të elitat. Në këtë kuptim, unë nuk besoj se e kaluara është shfaqur tek Berisha më shumë se tek secili anëtar i PD-së apo te secili qytetar shqiptar“, u shpreh Besnik Mustafaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA