Partia Demokratike fitoi shumicën absolute të votave për ta çuar Shqipërinë në rrugën e zhvillimit e demokracisë.
Të paktën, kjo ishte ajo që besonte elektorati. Elita e re nuk e kishte përvojën e drejtimit të shtetit në kushtet e pluralizmit politik.
“Në vitin 1992 kur fituam isha në oborrin e PD aty te rruga e Kavajës dhe një gazetar i huaj më pyet: ‘Si do ta qeverisni Shqipërinë se s’keni përvojë…’ I thashë ‘kemi presidentë, kryeministra, ministra për eksport, ne na duhen punëtorë.’ Berisha ma mori shumë për keq këtë shprehje dhe i thashë: ‘Shiko, ke plot oborrin me ministra, ku do i gjesh punëtorët për ta ndërtuar Shqipërinë’”, u shpreh Besnik Mustafaj, themelues PD.
PD mori përgjegjësinë të qeveriste Shqipërinë me një grup intelektualësh karizmatikë, me ego të theksuar për pushtet. Ndryshe prej partive të tjera simotra në vendet e lindjes ish-komuniste, PD i anashkaloi ndryshimet rrënjësore gjatë shndërrimit të sistemeve,e as nuk iu nënshtrua një faze të ndryshimit thelbësor të elitave. Partitë që lindën në vendet e bllokut të lindjes komuniste pas përmbysjes së diktaturës, u shkrinë brenda pak vitesh për t’i lënë vendin lëvizjeve të reja politike bazuar mbi votën e lirë.
Ato i konsumuan brenda disa muajve ose pak viteve momentet e vështira të organizimit, të ngjashme me momente si ky që ka sot Partia Demokratike, e ndarë në disa pjesë ku copëzat e saj vazhdojnë sherrin për vulën dhe logon. Kjo është një histori e ndryshme nga vendet e tjera të lindjes ish-komuniste.
‘Trashëguam shumë nga e kaluara se jemi shqiptarë konservatorë.. jemi kokëfortë siç janë shqiptarët nuk i binden as vetes. Duhet të jesh tolerant dhe i ditur prandaj është meritokracia me kufizimet e saj prandaj është vota”, u shpreh, Aleksandër Meksi, ish-kryeministër.
“Pjesa më e rëndësishme që duhet t’i jepnim vendit demokraci, ti jepnim drejtësi, të kishim ndarje pushtetesh të kishim një ekonomi me plotë kuptimin e fjalës të lirë kompetitive të drejtë. Këto nuk janë realizuar por kanë ecur me ritme minimale sepse na ka ndjekur vazhdimisht mentaliteti i vjetër, edukacioni i vjetër”, u shpreh Rexhep Uka, themelues i PD-së.
Top Channel