Federata Shqiptare e Futbollit ka përzgjedhur kampin bazë ku do të stacionohet Kombëtarja shqiptare gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për finalet e Euro 2024!
Qendra e cila do të shndërrohet në bazën kuqezi në Gjermani quhet SportCentrum Kaiserau, një nga komplekset më të njohura dhe më të mirët në Gjermani për ekipe sportive në afërsi të Dortmundit.
Qendra stërvitore është e specializuar për grumbullime dhe faza përgatitore të skuadrave dhe ka eksperiencë të pasur, pasi aty janë grumbulluar për faza përgatitore apo për turne në të kaluarën ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si FC Bajern Mynih, Real Madrid, FC Liverpul, FC Porto, Borusia Dortmund, Shalke 04 apo Valencia.
24 orë para çdo ndeshjeje ekipi Kombëtar do të transferohet në qytetin ku do të luhet dhe pas ndeshjes do të kthehet përsëri në kampin bazë për të vijuar përgatitjet. Bëhet fjalë për një qendër ekselence sportive që ofron të gjitha kushtet e duhura, duke përmbushur kërkesat e stafit teknik. Trajneri Silvinjo dhe stafi i FSHF-së vizituan dy ditë më parë lokacionet e sugjeruara nga UEFA dhe më në fund arritën të sigurojnë shërbimet e kësaj qendre stërvitore.
Kampi bazë i Shqipërisë është përzgjedhur në një lokacion që ka pranë 6 prej 10 stadiumeve që do të presin ndeshjet e turneut. Shorti i 2 dhjetorit e pozicionoi Shqipërinë në Grupin B me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Kombëtarja kuqezi do të luajë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e Dortmundit, ndërsa më 19 qershor do të përballet me Kroacinë në stadiumin e Hamburgut. Ndeshja e tretë e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Düsseldorf Arena”.
Top Channel