Gjykata e Apelit la në fuqi të mërkurën dënimin me burg përjetë për Koço Buzon, ish-policin që vrau gruan e tij Liljana Buzo.

Ngjarja e rëndë ndodhi përpara godinës së Gjykatës së Elbasanit në 6 maj të vitit 2021, pak minuta pas seancës gjyqësore për divorcin e çiftit Buzo.

Më shumë se dy vite më parë, ish-polici nuk u paraqit në seancën e gjyqit ku bashkëshortja kërkonte t’i jepte fund martesës për shkak të xhelozisë dhe dhunës së vazhdueshme. Koço Buzo priste me një thikë dhe kallashnikov në dorë jashtë Gjykatës së Elbasanit.

Sapo u ndesh me bashkëshorten ai e goditi fillimisht me thikë ish-bashkëshorten dhe më pas e qëlloi 7 herë me kallashnikov pas shpine, duke e lënë të vdekur në vend 54-vjeçaren, në sy të djalit të tyre.

Plumbat në atë kohë kapën edhe dy kalimtarë të rastësishëm, por pa rrezik për jetën.

Çështja në Apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit nga i pandehuri Koço Buzo, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit të datës 27.04.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në të njëjtën gjykatë me tjetër trup gjykues.

Në përfundim të gjykimit, sot, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm vendosi lënien në fuqi të vendimit të datës 27.04.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Top Channel