E mbylli me Gremion, ish-sulmuesi i famshëm i Barçës gati t’i bashkohet Messit

05/12/2023 21:40

Luis Suarez është një lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Gremion në Brazil. Sulmuesi uruguaian pritet t’i bashkohet Lionel Messit tek Inter Miami në MLS.

Lajmi bëhet i ditur nga gazeta sportive britanike “The Athletic”, e cila garanton se Suarez do të nënshkruajë kontratë për një sezon me skuadrën e David Beckham.

Nëse konfirmohet, sulmuesi do të ribashkohet me Lionel Messin, Sergio Busquets dhe Jordi Alban, lojtarë me të cilët ai ndante dhomën e zhveshjes në Barcelonë. Sipas burimeve të “The Athletic”, MLS (Major League Soccer) do të diskutojë ndryshimet e mundshme në rregullat e regjistrimit të lojtarëve këtë dimër.

Inter Miami dhe të gjitha skuadrat e tjera të MLS, kanë kohë deri të premten në mbrëmje për të përcaktuar dhe prezantuar skuadrën e tyre. Është gjithashtu e nevojshme të merret parasysh kufiri i pagave në fuqi për klubet që konkurrojnë në ligën e Amerikës së Veriut.

Sidoqoftë, ekziston një rregull – i njohur joformalisht si Ligji i Beckhamit – që lejon çdo klub të nënshkruajë deri në tre lojtarë, pagat e të cilëve nuk llogariten në kufirin e pagave.

Inter Miami tashmë ka tre në radhët e tij, pikërisht Lionel Messin, Sergio Busquets dhe Gregore, me klubin që pritet të ndërpresë kontratën me këtë të fundit në mënyrë që Suarez t’i bashkohet skuadrës.

Kujtojmë se, edhe pse Suarez së fundmi foli për problemet fizike që e mundojnë, sulmuesi ishte në qendër të vëmendjes me Gremio, duke shënuar 24 gola dhe dhënë 17 asistime në 52 ndeshje./ Voa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA