Venezuela miraton referendumin për të pretenduar më shumë se gjysmën e territorit të Guijanës fqinje

04/12/2023 21:49

Venezuelanët kanë aprovuar dje referendumin e thirrur nga qeveria e Nicolás Maduro për të pretenduar gjysmën perëndimore të territorit të Guijanës fqinje, të pasur me naftë e minerale.

Megjithse pak votues shiheshin në qendrat e votimit gjatë kohës së referendumit me pesë pyetje, komisioni elektoral tha se ka numëruar më shumë se 10.5 milionë vota, pa shpjeguar nëse ishin totali i votuesve apo i përgjigjeve për pesë pyetjet e referendumit.

Venezuela prej kohësh argumentonte se territori i është vjedhur kur fuqitë e mëdha vendosën kufijtë më shumë se një shekull më parë, por Guijana e konsideron lëvizjen si një hap drejt aneksimit dhe rezidentët janë të shqetësuar, sipas mediave perëndimore.

Venezuelanët u pyetën nëse dëshironin të krijonin një shtet në territorin e kontestuar, të njohur si Essequibo, duke u dhënë qytetarinë rezidentëve atje dhe duke refuzuar jurisdiksionin e OKB për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në vendet e Amerikës Latine.

“Ky është një sukses për vendin tonë dhe demokracinë tonë,” u tha Maduro mbështetësve në kryeqytetin Caracas, pas njoftimit të rezultatit.

Mediat thonin se dje në referendum nuk shiheshin radhët zakonisht të gjata në qendrat e votimit, por pas afatit 12 orësh zyrtarët thanë se po shtonin dhe dy orë prej “pjesëmarrjes së madhe”.

Më herët gjykata ndërkombëtare kishte paralajmëruar Venezuelën të mos ndërmerrte veprime që trazojnë kontrollin e Gujanës ndaj Essequibo, pasi Guyana i kishte kërkuar gjyaktës të ndalonte disa elemente të votimit.

Territori prej 159,500 kilometra katrorë është thuajse sa dy të tretat e Guajana dhe kufizohet gjithashtu me Brazilin, i cili ka shtuar prezencën ushtarake prej kontestimeve.

Essequibo është më i madh se Greqia dhe i pasur me minerale. Zona ka akses në oqeanin Atlantik dhe grupi ExxonMobil ka zbuluar naftë aty në 2015.

Venezuela ka promovuar referendumin si një ‘akt patriotizmi’ duke thënë se Essequibo ka qenë pjesë e saj gjatë periudhës koloniale spanjolle, para se kufijtë të caktoheshin nga arbitrazhi ndërkombëtar në 1899, kur Guijana ishte ende koloni britanike.

Guijana, është i vetmi vend anglisht-folës në Amerikën latine dhe thotë se zbaton jurisdiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare te Hages.

FOTO GALERI
1/4
Venezuelanët kanë aprovuar dje referendumin e thirrur nga qeveria e Nicolás Maduro për të pretenduar gjysmën perëndimore të territorit të Guijanës

Top Channel